Shqipëria

Diabeti, të dhëna “alarmuese” edhe në Shqipëri


E njohur ndryshe si “sëmundja e shekullit”, numri i diabetikëve po rritet me ritme të larta në mbarë botën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OKB), “çdo vit, në botë rezultojnë me diabet shtatë milionë njerëz, 80% e të cilëve do të jenë nga vendet me një rënie të moderuar ekonomike”.

Me një përllogaritje të ekspertëve, në vitin 2030, bota do të ketë më shumë se 500 milionë diabetikë.

Sipas të dhënave të botuara, çdo 10 sekonda, një person vdes për shkak të diabetit dhe dy persona gjithashtu rezultojnë me diabet.

Edhe në Shqipëri të dhënat janë “alarmuese”.

Presidenti i Shoqatës së Diabetit, Florian Toti, për Albanian Post tregon se “prevalenca e diabetit, në popullsinë tonë është 3.5%, që do të thotë se kemi afërsisht 70 mijë diabetikë që vuajnë nga kjo sëmundje”.

Sipas Totit, grupmosha më e prekur nga diabeti rezulton ajo “40-65 vjeç”, që përbën gati 40% të rasteve.

Specialisti jep detaje se një grupmoshë e rrezikuar është edhe ajo 30-40 vjeç, ku vihet re “diabeti tip dy”.

53-vjeçari Hasan Rexha për Albanian Post rrëfen eksperiencën e tij, kur kuptoi se vuante nga diabeti.

“Ndihesha pa fuqi, kisha shumë gjumë, s’po kuptoja çfarë po më ndodhte. Shkova te mjeku dhe rezultova me diabet”.

Edhe presidenti i Shoqatës së Diabetit e vë theksin dhe “shpesh”, thotë ai, “gjatë fushatave sensibilizuese, bëjmë thirrje që gjithsecili të bëjë një kontroll të mjeku më i afër, një analizë të thjeshtë gjaku dhe jo kur e ndiejmë lakun në fyt”.

“Diabeti, jo vetëm shqetësim kombëtar”

Diabeti është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Aq sa më 20 dhjetor 2006, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë, duke e quajtur diabetin “një sëmundje kronike dhe të dobësuar me një kosto të madhe” që po përballet me familjet, qeveritë dhe të gjithë botën.

Sëmundja e diabetit është “një çrregullim i shkaktuar nga ndërprerja e prodhimit ose funksionit të insulinës në trup”.

Insulina është një hormon ose substancë që prodhohet në pankreas dhe mundëson që qelizat të marrin glukozë nga gjaku dhe ta përdorin atë për të gjeneruar energji.

Më tej, shpjegon specialisti Toti, diabeti ndahet në dy lloje.

“Një diabetik i varur nga insulina, i njohur si lloji i parë. Në këtë lloj diabeti, pacienti prodhon insulinë ose nuk prodhon fare insulinë dhe si rezultat i mungesës së insulinës, kontrolli i glukozës në gjak është i pamundur”.

Ky lloj i diabetit ndodh para moshës 40 vjeç dhe “kulmi i ndodhjes së tij është në rreth 14 vjeç”.

Lloji i dytë është diabeti i varur nga insulina, i cili njihet si “diabeti i tipit dy”.

“Në këtë lloj diabeti, pankreasi prodhon insulinë, por jo aq sa të rregullojë sheqerin në gjak dhe nga ana tjetër, qelizat e trupit rezistojnë ndaj insulinës. Ky lloj diabeti zakonisht ndodh tek njerëzit mbi 40 vjeç”, ravijëzon ai.

 

Rreziku nga diabeti

Në prononcimin për Albanian Post, mjeku këshillon edhe sesi mund “të shpëtojmë” nga kjo sëmundje, për të cilën sa vjen të dhënat dhe efektet në shëndet janë alarmuese.

Specialisti jep edhe ndër shkaktarët e rritjes së diabetikëve.

“Një ndër arsyet kryesore janë edhe ushqimet jo të shëndetshme. Shumica e njerëzve më të prekur nga kjo sëmundje janë obezët”, thotë Toti.

Ndër organet që mund të dëmtojë diabeti janë zemra, enët e gjakut, veshkat dhe nervat, thotë mjeku.

Rexha, i cili ka një biznes të vogël familjar, kishte kryesisht probleme me zemrën dhe, pas analizave, rezultuan me “yndyrë të lartë në gjak”.

“U detyrova të mbaj dietë të rreptë, të bëja aktivitet fizik dhe të përdorja ilaçe. Nuk duhet neglizhuar, përndryshe gjendja mund të rëndohet”, këshillon ai.

Diabeti nuk ka një kurim akut, por ka mënyra efektive për të kontrolluar dhe parandaluar komplikimet.

“Duke kontrolluar diabetin, nivelet e sheqerit në gjak. Si shembull, hulumtimi konfirmon se rregullimi i dietës, aktiviteti fizik dhe medikamentet përmirësojnë shëndetin”, përmbyll Toti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore