Shqipëria

Dhunohet fizikisht mësuesja në Memaliaj, procedohet penalisht 41-vjeçarja


Një mësuese është dhunuar fizikisht këtë të martë të 11 prillit në ambientet e shkollës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Nimete Progonati” në qytetin e Memaliajt.

Mësuesja me iniciale M.H., 43-vjeçe, është dhunuar nga një e afërme e një fëmije në ambientet e shkollës 9-vjeçare.

Deri më tani ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të bullizimit dhe keqtrajtimit që familjarja ka pretenduar se është bërë ndaj fëmijës.

Referuar Policisë së Shtetit, 41-vjeçarja është proceduar penalisht.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj kanë referuar sakaq materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

“Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore