Lajme

“Dhunim të demokracisë” e quan BSPK-ja presionin e Qeverisë për të ndalur grevën


Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka bërë të ditur se Qeveria është duke ushtruar presion ndaj grevistëve që të ndalin grevën.

Përmes një njoftimi nga BSPK-ja është thënë se ekzekutivi nuk është duke bërë përpjekje ta gjej rrugën e duhur.

“Duam të njoftojmë opinionin e gjerë se Partneri ynë Social – Qeveria është duke u munduar të gjejë rrugë jo të mira, kryesisht të presionit joparimor dhe vetëm e vetëm për të bindur grevistët të ndalin Grevën e Përgjithshme”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq porositjen e Qeverisë për ndalje të grevës e ka quajtur “dhunim të demokracisë”.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njofton opinionin se BSPK-ja do të bënte shkelje të ligjit për greva e mbi të gjitha shkelje të rëndë të parimeve dhe normave sindikale po që se do të ndalte grevën pa u ulur në karrigen e tavolinës së dialogut social dhe pa arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Edhe, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se nuk ka parë as dëshirë e as vullnet nga Qeveria që të bisedojë me gresvistët.

“Ne nuk po shkelim të drejta të askujt por nuk është mirë të tentohet në opinion se po shkelen të drejtat e dikujt. Grevën e kemi përdorur pas 9 muajve, qeveria s’e ka bërë asnjë angazhim por vetëm me fyerje”, kishte deklaruar Jasharaj.

Ai ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me ekzekutivin por vetëm nëse do të merrte ftesë nga ta. Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore