Lajme

Dhjetëra të vdekur në kryeqytetin e Chad-it teksa forcat e sigurisë qëllojnë mbi protestuesit


Në kryeqytetin e Chad-it, N’Djamena, forcat e sigurisë kanë shpërndarë me dhunë protestat e ndaluara që bënin thirrje për një tranzicion më të shpejtë drejt sundimit demokratik.

Por ndërhyrja e tyre ka lënë të paktën 50 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, sipas kryeministrit të vendit.

Shtëllunga tymi mund të shiheshin në disa zona të kryeqytetit, po ashtu edhe gazi lotsjellës hidhej gjatë pjesës më të madhe të ditës për të shpërndarë protestuesit.

Disa rrugë ishin bllokuar me barrikada dhe goma të djegura. Kurse shumica e dyqaneve mbyllën dyert për të shmangur grabitjet.

Ishte kryeministri Saleh Kebzabo që njoftoi numrin e të vdekurve në një konferencë shtypi ku pretendoi se forcat e sigurisë po vepronin në vetëmbrojtje.

“Çka ndodhi sot është një kryengritje e armatosur popullore për të marrë pushtetin me forcë dhe ata që janë përgjegjës për këtë dhunë do të përballen me drejtësinë”, ka thënë Kebzabo.

Ai u emërua kryeministër javën e kaluar pasi paraardhësi i tij dha dorëheqjen për t’i hapur rrugën një administrate të re.

“Protestuesit kishin armë zjarri dhe ata konsiderohen rebelë”, ka vijuar ai.

Më vonë, Kebzabo ka zbuluar se ka urdhëruar partinë kryesore të opozitës Transformers dhe një koalicion të partive opozitare dhe organizatave të shoqërisë civile të quajtur Wakit Tama të pezullonin aktivitetet.

E gjitha me pretendimin se Transformers kishte “udhëhequr një rebelim në jug dhe kishte filluar të vriste njerëz”.

Partitë opozitare kanë thënë se numri i të vdekurve është rreth 50, megjithëse shifrat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Chad-i ka qenë në rrezik që nga vdekja e papritur e presidentit Idriss Déby, teksa vizitonte trupat që luftonin rebelët në prill 2021.

Ka pasur rezistencë ndaj një këshilli ushtarak kalimtar të kryesuar nga djali i Déby, Mahamat Idriss Déby, i cili mori pushtetin pas vdekjes së presidentit dhe shtyu zgjedhjet për në tetor 2024.

Sakaq, demonstrata e së enjtes u thirr për të shënuar datën kur ushtria fillimisht kishte premtuar të dorëzonte pushtetin dhe u zhvillua në kundërshtim me një ndalim të qeverisë.

Një protestuar ka treguar se, bashkë me të tjerët, doli në rrugë për të protestuar në mënyrë paqësore. Por “forcat e armatosura me rroba civile filluan të qëllojnë mbi ne. Kam numëruar 30 persona të plagosur, disa prej tyre tashmë kanë vdekur”, ka thënë ai.

Protestat u zhvilluan edhe në Moundou, në jug.

Për ekspertët, trazirat në Chad kanë theksuar sfidat e thella politike me të cilat përballet rajoni i trazuar i Sahel-it, i cili ka përjetuar një seri grushtesh shteti në shtetet kyçe vitet e fundit.

Kjo ka ardhur teksa sundimtarët luftojnë me dhunën ekstremiste në rritje dhe problemet e thella sociale.

Ndërkaq, forcat e atjeshme të sigurisë kanë shtypur disa protesta të udhëhequra nga shoqëria civile dhe opozita, duke denoncuar marrjen e pushtetit nga ushtria.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore