Lajme

Detektivi holandez i artit rigjen 6 piktura të tjera të vjedhura


Detektivi i njohur holandez i artit ka gjetur gjashtë piktura të tjera, duke përfshirë një portret të William of Orange dhe portretin e parë të një mbreti të shekullit të VII-të.

Arthur Brand, i cili u bë i njohur muajin e kaluar kur gjeti një pikturë të vjedhur të Van Gogh, beson se suksesi i tij i publikuar gjerësisht ka çuar në zbulime të mëtejshme.

Hajdutët u larguan me gjashtë piktura nga bashkia e Medemblik, në veri të vendit, muajin e kaluar.

Teksa vlera monetare nuk është e madhe – rreth 100 mijë euro – pikturat konsiderohen të një rëndësie të madhe historike.

Ato përfshijnë portretin më të hershëm të njohur të Radbodit, mbretit të Frizianëve.

Brand ka treguar se ai ishte ulur në shtëpi të premten mbrëma duke parë futboll kur ra zilja e derës dhe një burrë në një furgon i kërkoi ndihmë për të shkarkuar disa mallra.

“E pyeta: Çfarë do të shkarkojmë?. Ai tha me një buzëqeshje: Epo, pikturat e Medemblik”, ka treguar ai.

“Në disa raste, ata i djegin ato, vetëm për të hequr qafe provat sepse zbulojnë se nuk mund t’i shesin”.

“Kështu që unë jam shumë mirënjohës që ata vendosën të bëjnë gjënë e duhur. Vjedhja është e gabuar, por nëse e kthen, të paktën bën diçka siç duhet”.

Brand shpreson se vrulli nga Van Gogh do të çojë në një rikuperim tjetër të çmimit – një kryevepër nga Frans Hals e quajtur Two Laughing Boys.

Po ashtu ka vëmendjen te rikuperimi i veprave nga Muzeu Isabella Stewart Gardner në Boston, ku piktura me vlerë rreth 500 milionë dollarë nga Vermeer, Manet dhe Rembrandt u vodhën në vitin 1990.

Autoritetet në Medemblik kishin ofruar një shpërblim prej 10 mijë euro për kthimin e sigurt të pikturave.

Por Brand nuk do t’i marrë paratë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Më në fund dorëzohet në duar të sigurta vepra e vjedhur e Van Gogh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore