Lajme

Desku i PZAP-së për Albanian Post: 46 ankesa janë dorëzuar nga partitë politike


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 46 ankesa në lidhje me procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku, për Albanian Post.

“Ju informoj se PZAP-i ka pranuar 46 ankesa nga subjekte të ndryshme politike”, tha Desku.

Sipas Deskut, “PZAP-i lidhur me parregullsitë për ditën e zgjedhjeve, i ka pranuar deri në ora 19:00 të kësaj të hëne”.

“PZAP-i këto ankesa i shqyrton brenda afatit prej 72 orëve pas dorëzimit të tyre”, shtoi ai.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku

Bekim Jashari thotë se në Skenderaj “u vodh fitorja”

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Bekim Hamëz Jashari, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pas numërimit të votave deri më tani, ku ai renditet i dyti pas Partisë Demokratike të Kosovës, me kandidat Fadil Nurën, i cili prin me më shumë se 57.99 përqind.

“Sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha”, shkroi ai.

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Bekim Hamëz Jashari

Ai tha të dielën se kanë raportuar për parregullsi të mëdha si “blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit”.

“Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si “treni bullgar”, tha Jashari.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë dhe se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash do të bëhet katër javë pas raundit të parë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se ka raste kur nuk është bërë përditësimi i të dhënave në web faqen e KQZ-së për disa vendvotime. Por, që janë duke punuar në atë drejtim që sa më shpejt të rregullohet si problem.

“Procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Sipas ligjit raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komune mbahet ditën e diele katër javë pas raundit të parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore