Lajme

Dështon sulmi i armatosur në Pallatin Kombëtar të Haitit, qeveria premton dorëheqjen


Bandat e armatosura dështuan në përpjekjen për të sulmuar Pallatin Kombëtar të Haitit.

Megjithatë, të paktën pesë policë u plagosën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Sulmuesit i vunë zjarrin edhe një automjeti të blinduar të policisë.

Autoritetet kanë zgjatur shtetrrethimin deri të mërkurën në departamentin perëndimor, ku ndodhet Port-au-Prince.

Sakaq qeveria e kryeministrit të Haitit, Ariel Henry, ka premtuar të japë dorëheqjen sapo të zyrtarizohet Këshilli Presidencial Kalimtar.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken foli me Presidentin e Guajanës dhe Presidentin aktual të Komunitetit të Karaibeve Irfaan Ali.

Blinken dhe Ali diskutuan përpjekjet për të mbështetur Këshillin Presidencial Kalimtar dhe misionin shumëkombësh të mbështetjes së sigurisë në Haiti.

Sekretari përsëriti se “SHBA-të vlerësojnë mbështetjen e Caricom për përpjekjet e Haitit për të promovuar qeverisje gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese”.

Pallati Kombëtar, në Haiti, u sulmua nga njerëz të armatosur dhe disa punonjës u bllokuan brenda.

Pati të shtëna intensive në zonë dhe përplasje të ashpra në sheshin kryesor të Port-au-Prince, Champs de Mars, shumë pranë Pallatit Kombëtar, mes burrave të bandave kriminale dhe policisë.

Bandat e armatosura që i përkasin koalicionit Vivir Juntos, të drejtuar nga i fuqishmi Jimmy Cherizier, alias “Barbecue”, kanë arritur t’i vënë flakën një automjeti të blinduar të policisë pranë Pallatit Kombëtar.

Mediat lokale raportuan se të paktën një polic u qëllua pasi ai dhe oficerët e tjerë u detyruan të iknin nga një makinë e blinduar që më pas iu dogj.

Dhjetëra njerëz u bllokuan nga të shtënat me armë në qendër të Port-au-Prince, ndërsa të tjerë arritën të shpëtonin.

Përplasja vjen më shumë se një muaj pasi bandat filluan të sulmojnë infrastrukturën kryesore qeveritare.

Dhuna në disa zona është zbutur disi që nga fillimi i sulmeve më 29 shkurt, por të shtënat me armë zjarri ende dëgjohen çdo ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore