Kosova

Dështon për herë të dytë themelimi i Komisionit për skandalet e rezervave shtetërore: Deputetët e VV-së refuzojnë ta votojnë


Foto: Albanian Post.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka bërë të ditur se sërish nuk është konstituar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizim dhe menaxhim me rezervat shtetërore, kjo pasi që deputetët e pushtetit refuzojnë ta votojnë atë.

Lajmin e ka kumtuar Kica-Xhelili, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Dështon për herë të dytë sot themelimi i Komisionit për skandalet e rezervave shtetërore. VV mungoi sërish”.

Ajo ka shtuar se, “përsëris: nuk heqim dorë!”.

Në mbledhjen ku parashihej të konstituohej ky komision munguan deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi dhe Salih Zyba.

Po ashtu mungoi edhe Erxhan Galushi nga partitë e komuniteteve.

“Sot mungojnë kolegët deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, andaj nuk mund të konstituohet komisioni”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Rashit Qalaj, njëherit kryesuesi i këtij Komisioni.

“Po vërehet se po frikësohen nga e vërteta”, tha deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, njëherit zëvendës-kryesuese e këtij Komisioni.

Më 21 shtator, Kuvendi i Kosovës, ka diskutuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT).

Për nevojë e themelimit të një komisioni hetimor për çështjen e rezervave shtetërore kishte folur Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

I cili e kishte konsideruar si të rëndësishëm një hetim të tillë për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, është i domosdoshëm.

Por, që ishte kundërshtuar nga Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Gjatë fjalës së saj kundërshtuese ndaj kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor, Kusari – Lila akuzoi deputetët se po duan të bëhen hetues dhe se nuk po i besojnë Prokurorisë.

Rasti i keqpërdorimit me rezerva shtetërore 

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore