Kosova

Deshën ta arsyetojnë dështimin, e shkelën ligjin – Marrëveshja e MPB-së me MSH-në rezulton e kundërligjshme


Foto: Albanian Post.

Një marrëveshje mes ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, ku zyrtarëve policorë u mundësohet që të kenë përparësi për të marrë shërbime shëndetësore në listën e pritjes në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), po konsiderohet e paligjshme nga njohësit e çështjeve të drejtësisë.

Në të njëjtën mënyrë e shohin edhe ish-ministra të Shëndetësisë dhe anëtarë të Komisionit për Shëndetësi.

Sipas tyre, një vendim i tillë tek qytetarët bën “dallime substanciale”, ndërsa përmes kësaj mënyrë po mundohet që të mbulohet pjesa ku Policia e Kosovës, ka mungesë të sigurimeve shëndetësore.

“Popullizëm, mashtrim, shkelje e ligjit”

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një përgjigje për Albanian Post thotë se një marrëveshje e tillë është “popullzim, mashtrim dhe shkelje e ligjit”.

“Këtë pushtet nuk e meritojnë as pjesëtaret e Policisë, por as edhe qytetarët e Kosovës si barazi para ligjit i cili siguron trajtim të barabartë në shëndetësinë publike. Më shumë e shohë si mbulesë në ofendimin dhe diskriminimin që i është bërë policisë me ligjin për paga dhe shtesat si lëmosh i Qeverisë”, thotë Zemaj për AP.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Esenca e gjithë kësaj është se asnjë veprim s’është bërë as për ligjin për sigurime shëndetësore dhe as për ligjin për shëndetësi”.

“Një vendim i tillë s’ka qenë i nevojshëm – qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës”

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, thotë se një vendim i tillë as që ka qenë fare i nevojshëm e për më tepër s’është as i lejueshëm.

Dreshaj, në një bisedë për AP potencoi se të gjithë qytetarët para Kushtetutës janë të barabartë dhe kanë të drejta të barabarta.

“Nuk ka pasur nevojë për një vendim të tillë. Kjo përbën dallime substanciale për qytetarët, derisa me Kushtetutë të gjithë duhet të jenë të barabartë”.

 Anëtari i Komisionit për Shëndetësi Dreshaj

“Sigurime shëndetësore nuk ka asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës dhe shumica e qytetarëve që punojnë në sektorin publik s’kanë sigurime shëndetësore”.

Listat e pritjes në QKUK

Në klinikat e Kirurgjisë Abdominale, Vaskulare, Plastike, Ortopedike dhe Oftamologjike, sikurse edhe në Klinikën Radiologjike – për CT dhe sMRI, listat e pritjes janë shumë të gjata, me muaj deri në një vit.

Për listat e gjata të pritjes në të gjitha klinikat e ShSKUK-së është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.

Mirëpo, në atë kohë kur deputetët opozitarë kërkonin që të ndërmerren masa, listat e pritjes për procedura diagnostike shkonin deri në tetë muaj.

Tani kohëzgjatja e pritjes është rritur për 50 për qind.

Partitë politike gjithmonë në planë kanë sigurimet shëndetësore

Gjithashtu, veçmas nga sigurimet shëndetësore publike, Vetëvendosje në planin për Sigurime Publike parasheh edhe sigurim shëndetësor e jetësor për policët.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në prioritetet dhe parimet në shëndetësi në pikën e katërt parasheh sigurimet shëndetësore.

Kurse Partia Demokratike e Kosovës në planin për rimëkëmbje të shëndetësisë ka plan që sigurimet shëndetësore t’i realizojë brenda tre mujorit të parë të qeverisjes së saj.

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin fondet.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore