Lajme

Gjysmë ore para mbylljes së votimit, pjesëmarrja 48.27%


Ilustrim

Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, deri në orën 18:30, gjysmë ore para mbylljes së vendvotimeve, është 48,27 për qind nga 87,87 për qind e të dhënave të përpunuara, thuhet në faqen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të deritanishme të pjesëmarrjes, dalja më e madhe është shënuar në Novaci me 71.07%, ndërsa më e ulët është në Shuto Orizar me 25.43%. Deri më tani, votimi ka qenë i qetë në të gjitha qendrat e votimit.

Në KSHZ deri më tani janë dorëzuar 345 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtave personale të votimit. Nga këto, 98 kundërshtime janë pranuar dhe zgjedhësve iu është mundësuar ushtrimi i të drejtës së votës, 36 kundërshtime janë hedhur poshtë si të parregullta dhe 46 kundërshtime janë refuzuar. Kundërshtimet e mbetura janë duke u proceduar.

Deri në orën 17:00 votuan 42.38% e qytetarëve, thotë KSHZ

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në Maqedoni të Veriut, më herët kishte njoftuar se deri në ora 17:00, të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet presidenciale e kishin shfrytëzuar 42.38 për qind e qytetarëve.

Nga më shumë se 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote, deri në këtë kohë, të drejtën e tyre e kishin shfrytëzuar 747 mijë 59 qytetarë të këtij shteti.

Të dhënat e publikuara nga KSHZ-ja.

Maqedonia e Veriut të mërkurën është duke zhvilluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.

Bujar Osmani garon nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, është mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, duke ditur që shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, atëherë gjasat që njëri nga ta të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, që do të mbahen së bashku me ato parlamentare, janë tejet të vogla.

Shumë kush, garën e 24 prillit ndërmjet kandidatëve shqiptarë e ka parë si test që partitë politike, përkatësisht “Fronti Evropian” dhe “VLENI” po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare.

Dy janë pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e shtetit maqedonas. Stevo Pendarovski (61-vjeçar), nga LSDM-ja, i cili po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE (70-vjeçare), e cila ri-kandidon kundër Pendarovskit.

Kandidatë të tjerë janë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Të shtatë kandidatët për President të Maqedonisë së Veriut.

Rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë të drejtë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore