Lajme

Deri në 10 mijë njerëz dyshohet se kanë vdekur pas përmbytjeve shkatërruese në Libi


Rreth 10 mijë njerëz dyshohet se kanë vdekur pas një stuhie që goditi Libinë, duke shkaktuar një valë shkatërruese të përmbytjeve në të gjithë lindjen e vendit.

Fatkeqësia e shkaktuar nga reshjet intensive të stuhisë “Daniel” u intensifikua kur dy diga shpërthyen – me më shumë se 2 mijë njerëz të vrarë në një qytet bregdetar dhe mijëra të tjerë të zhdukur, thanë agjencitë e ndihmës dhe zyrtarët të martën.

Lagje të tëra u shkatërruan në vendin e Afrikës Veriore, i cili po vuante nga konflikti ndër vite.

Imazhet treguan rajonin e zhdukur nga ujërat e furishme të përmbytjeve, me makina, muratura dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë dhe ndërtesa të tëra të fshira.

Përmbytja duket se ka shkaktuar dëmin më të madh në Derna, një qytet ku 2 mijë 300 njerëz u konfirmuan të vdekur dhe 5 mijë të tjerë u zhdukën, sipas Shërbimit të Ambulancës dhe Emergjencës.

Othman Abduljaleel, ministri i Shëndetësisë në qeverinë lindore të Libisë, e përshkroi situatën si “katastrofike”.

“Trupat janë ende të shtrirë në tokë në shumë pjesë. Spitalet janë mbushur me trupa. Dhe ka zona që duhet të arrijmë ende”, tha ai, sipas Associated Press.

Kjo do të thotë se numri ka të ngjarë të rritet ndjeshëm në ditët në vijim, paralajmëruan grupet e ndihmës.

Tamer Ramadan, i dërguari i Libisë në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, tha në një konferencë me video të martën se numri përfundimtar i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

“Ne konfirmuam nga burimet tona të pavarura të informacionit se numri i personave të zhdukur deri më tani ka arritur në 10 mijë persona”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk është një shifër e finalizuar.

Fatkeqësia në Libi ishte “po aq shkatërruese sa situata në Marok”, tha Ramadan, duke iu referuar tërmetit që goditi të premten dhe vrau më shumë se 2 mijë e 800 njerëz.

“Nevojat humanitare janë të mëdha dhe shumë më tepër përtej aftësive të Gjysmëhënës së Kuqe Libiane dhe madje edhe përtej aftësive të qeverisë”, shtoi ai.

Dax Bennet Roque, drejtor i Libisë për Këshillin Norvegjez të Refugjatëve, tha se ekipi i tij po raportonte një “situatë katastrofike” pasi përmbytjet goditën disa nga komunitetet më të varfra përgjatë bregdetit.

“Shumë familje kanë humbur të gjitha gjërat e tyre dhe punonjësit e kërkim-shpëtimit po kërkojnë njerëz të zhdukur. Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur pa asnjë perspektivë për t’u kthyer në shtëpi”, tregoi ai. “Komunitetet anembanë Libisë kanë duruar vite konflikti, varfërie dhe shpërnguljeje. Fatkeqësia e fundit do të përkeqësojë situatën për këta njerëz”.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit tha se ishte gati për të ofruar ndihmë.

Libia është e ndarë midis dy administratave rivale, secila kontrollon lindjen dhe perëndim të vendit.

Të dyja palët kanë pasur mbështetjen e milicive të ndryshme dhe qeverive të huaja që kanë luftuar për pushtet në vendin e pasur me naftë, pas vdekjes së Moammar Gadafi-t në vitin 2011 pas katër dekadash të sundimit të tij.

Vitet e konfliktit të mëpasshëm kanë bërë që shërbimet publike dhe infrastruktura të shkatërrohen në të gjithë vendin.

Të hënën, Këshilli Presidencial Libian shpalli zonat e prekura më shumë, rreth qyteteve Derna, Shahat dhe Dar Al Bayda, si zona fatkeqësie.

Këshilli kërkoi nga “vendet vëllazërore dhe mike dhe organizatat ndërkombëtare që të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për zonat e goditura dhe përpjekjet e shpëtimit detar për të rikuperuar viktimat”.

Ambasadori amerikan në Libi, Richard B. Norland, tha se Washington-i “kishte lëshuar një deklaratë zyrtare të nevojës humanitare” në përgjigje të përmbytjeve.

“Ne po koordinohemi me partnerët e OKB-së dhe autoritetet libiane për të vlerësuar se si të synojmë më mirë ndihmën zyrtare të SHBA-ve”, tha ai.

Ministria libiane e Shëndetësisë tha të hënën se kishte marrë me qira një aeroplan të linjës ajrore afrikane dhe e kishte mbushur me pajisje dhe ilaçe për t’u dërguar në komunitetet e prekura në lindje të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore