Kosova

Derek Chollet rezultoi pozitiv me COVID-19, për këtë arsye anuloi vizitën në Kosovë


Këshilltari i lartë i Departmaentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Arsyeja e anulimit të vizitës së këshilltarit të lartë të Departmaentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, është diagnostikimi i tij me COVID-19.

Sipas burimeve të Albanian Post, institucionet e Kosovës janë njoftuar të hënën se arsyeja e shtyrjes së vizitës së Chollet ka ndodhur për shkak se ai ka rezultuar pozitiv me Coronavirus.

Më herët u raportua, se vizita e tij është anuluar për “arsye familjare”.

Chollet ishte e paraparë që së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e së hënës udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.

Edhe përmes njoftimit të Qeverisë së Kosovës është bërë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin, të hënën.

Vizita e Escobar dhe Chollet ka ardhur në kohën kur situata në Veri të Kosovës është e tensionuar.

Këshilltari i lartë i Departmaentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë në Veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e tyre u ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Kosova dhe Serbia janë të gatshme që të de-eskalojnë situatën në Veri, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një prononcim për gazetarë para fillimit të mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare në Këshillimin Evropian.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Osmani ka thënë se zgjedhjet për këto katër komuna do të mbahen më 23 prill të vitit 2023.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Por, pavarësisht shtyrjeve të zgjedhjeve situata në Veri vazhdon të jetë e tensionuar.

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë – Jarinjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore