Lajme

Deputetja britanike: Në Veri pati dhunë nga milicia e financuar nga Beogradi, ShBA-ja dhe BE-ja gabuam që e kritikuan Kosovën


Deputetja britanike dhe kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë, Alicia Kearns, teksa ka raportuar në Parlamentin e Britanisë së Madhe, është shprehur e befasuar me kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, e jo ndaj Serbisë për situatën e tensionuar në Veri.

“Është e gabuar që SHBA-ja e BE-ja vendosën të kritikonin Kosovën, e nuk pati kritika ndaj milicisë së armatosur”, tha Kearns.

“Pati dhunë të orkestruar në veri nga milicia e financiar nga Beogradi, dhunë kundër KFOR-it, Policisë, hodhën koktej molotovi, gjuajtën me armë, dogjën vetura”, shtoi ajo.

Po ashtu ajo ka shtuar se “Kosova nuk është Serbi”, por Beogradi ka orkestruar bojkot të zgjedhjeve demokratike të mbajtura në komunat veriore të Kosovës.

“Rezultatin e atyre zgjedhjeve e kemi njohur në Perëndim e tash po kërkojmë sërish zgjedhje, dolën vetëm 3 për qind”, theksoi ligjvënësja britanike.

Sipas saj, po të ndaloheshin kryetarët të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, “do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë”.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore