Lajme

Deputetja Bajrami: Lëvizja Vetëvendosje i sheh qytetarët veç si vota


Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke kritikuar Qeverinë Kurti II pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i sheh qytetarët “si vota”.

Një deklaratë të tillë ajo e lidhi me “kandidimin e ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, për kryetar të komunës”, gjë që ende nuk është bërë zyrtare nga ky subjekt politik.

“E thanë që e menaxhuan pandeminë kur numrat ranë e virusi shpërndahej më pak. Dje 562 raste të reja, sot 888 dhe si për ironi VV-ja lëshon informata se ka vendosë që në Prishtinë ta kandidojë Arben Vitinë, po pra Ministrin e Shëndetësisë. Kaq brengoset kjo qeveri për qytetarët, i sheh si vota dhe asgjë më shumë”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në Facebook.

Ndaj rritjes së rasteve me të infektuar nga Coronavirusi në Kosovë ka reaguar edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se keq menaxhimi me pandeminë “po na çon në greminë”.

Sa i përket një kandidimi të mundshëm nga Vitia për kryetar të komunës së Prishtinës, Gjoshi ka thënë se “nëse Vitia do të ishte kaq i interesuar dhe i shqetësuar për shëndetin e qytetarëve, ai do t’i përkushtohej vetëm detyrës që e ka marrë”.

“Por, jo! Vitia po e lë shëndetin e qytetarëve buzë greminës dhe do t’i përkushtohet zgjedhjeve për Prishtinë. Asnjë doktor i vërtetë nuk do ta braktiste shëndetin e qytetarit”, ka shkruar Gjoshi.

Ndërkohë, pavarësisht thirrjes së institucioneve përkatëse drejt qytetarëve që të vaksinohen, numri i rasteve me të infektuar në ditët e fundit në Kosovë është rritur dukshëm.

Vetëm në të mërkurën e 11 gushtit, numri i rasteve me të infektuar nga COVID-19 ka shkuar deri në 888.

Ndërkaq, numri i rasteve aktive me COVID-19, është gjithsejtë tre mijë e 489.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 16 mijë e 905 vaksina kundër COVID-19, kurse që nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në të gjithë Kosovën janë dhënë 521 mijë e 737 doza të vaksinës.

Të vaksinuar me dozën e dytë janë 174 mijë e 991.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore