Lajme

Deputeti serb: Pse Hill-i po e mbështet regjimin mafioz të Vuçiç-it?


Christopher Hill

Deputeti i Partisë Demokratike të Serbisë, Srdjan Milivojeviç, ka deklaruar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, duhet të ndryshojë retorikën e tij ndaj “regjimit mafioz në Serbi të udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç”.

Milivojeviç deklaroi për agjencinë e lajmeve Beta se nuk do të pajtohej me deklaratën e fundit të ambasadorit amerikan se “marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë po përparojnë në fusha të ndryshme”, por se është e qartë se retorika e ambasadorit Hill, i cili, sipas deputetit serb, shumë shpesh i jep vlerësim një regjimi të dëshmuar tashmë si mafioz i udhëhequr nga presidenti serb.

Ai ka deklaruar se si mund të forcohet bashkëpunimi kur SHBA-të i vendosin edhe sanksione drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Aleksandër Vulin, për trafik droge, kontrabandë armësh dhe shpërdorim detyre publike.

“Sanksionet që mori Vulin janë sanksionet e para të tilla të vendosura ndaj një drejtori të shërbimit të sigurisë. SHBA nuk vendosi sanksione të tilla ndaj krerëve të shërbimeve të sigurisë në Kolumbi, Ekuador dhe vende të tjera të Amerikës Latine që janë sinonim i biznesit të drogës. Ky është treguesi më i mirë se çfarë mendojnë SHBA-të për regjimin e Aleksandër Vuçiç-it”, theksoi Milivojeviç.

Sipas tij, politika e administratës amerikane ndaj Serbisë nuk mund të shihet përmes deklaratave të ambasadorit Hill.

“Hill e di më së miri pse lavdëron regjimin e Vuçiç-it dhe jep vlerësime që kundërshtojnë drejtpërdrejt pikëpamjet e Departamentit të Shtetit”, tha ai.

Milivojeviç deklaroi se në mediat perëndimore kohët e fundit janë shfaqur një numër i madh artikujsh kritikë për regjimin në Serbi dhe lidhjen e presidentit Vuçiç me krimin e organizuar.

“Mediat perëndimore më me ndikim e kanë etiketuar Vuçiç-in si kreun e krimit të organizuar, shtrirja e të cilit i kalon kufijtë e Serbisë. Vuçiç për një kohë ka gënjyer me mjeshtëri dhe ka mashtruar diplomatët perëndimorë dhe mediat, por ajo maskë tani ka rënë dhe pardesyja radikale mbi të cilën ka veshur një frak evropian dhe një kravatë është zbuluar sërish”, tha deputeti.

Srdjan Milivojeviç

Deputeti serb theksoi se administrata amerikane do të duhet të rishqyrtojë pse ambasadori i tyre në Serbi lavdëron regjimin e Vuçiç-it dhe “në këtë mënyrë dëmton reputacionin e SHBA-së në mesin e qytetarëve të Serbisë”.

“Nëse me vite e lavdëroni sinqerisht regjimin mafioz, pavarësisht gjithçkaje që po ndodh në Serbi, atëherë lind pyetja se cili është interesi për ta bërë këtë”, tha Milivojeviç.

Duke komentuar bashkëpunimin dhe afërsinë e fundit të ambasadorit amerikan me pronarin e TV Pink, Zheljko Mitroviç, Milivojeviç tha se pronari i Pink ka frikë nga konfiskimi i pronës që ka në Perëndim.

“Qindra mijëra qytetarë serbë kanë kërkuar prej muajsh që t’i hiqet frekuenca TV Pink për promovim të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Mitroviç mund të arrijë afërsi me dikë nga diplomacia amerikane, por sigurisht që nuk do të jetë në gjendje të korruptojë zyrtarët amerikanë të ulur në Uashington”, tha ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore