Lajme

Deputetet liberal evropian letër BE-së: Ngrini negociatat me Serbinë derisa të bie dakord për Rusinë


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, kanë pranuar një letër të nënshkruar nga nëntë deputetë nga Grupi Liberal Renew Europe, të cilët kanë kërkuar një ngrirje të përkohshme të negociatave me Serbinë dhe një pezullim të ndihmës financiare të BE-së  për të, derisa ajo të përafrohet me qëndrimet e saj për çështjen e Rusisë.

Letra, në të cilën kishte qasje Ballkani Perëndimor Evropian, është nënshkrua ndër të tjera, nga Nikola Behr, nënkryetar i Parlamentit Evropian dhe një anëtar i Partisë Demokratike të Lirë të Gjermanisë në pushtet. Nënshkrues të tjerë përfshijnë Klemen Groselj i Sllovenisë, Ilhan Kyuchuk i Bullgarisë, Petras Austevicius nga Lituania, Urmas Paet i Estonisë dhe Bart Grotius i Holandës.

Pavarësisht ngrirjes së përkohshme të ndihmës financiare, ligjvënësit shprehën mbështetje për shoqërinë civile dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Serbi.

“Serbia ka çdo të drejtë të ndjekë modelin e Putin-it nëse dëshiron, por duhet të jetë e qartë në synimet e saj dhe të mos pretendojë se ka aspirata serioze për anëtarësim në BE”, përcjellë EWB.

“Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mund të vazhdojë të konsiderohet si bashkëbiseduese e besimit dhe nuk mund të vazhdojë të përdorë ndihmën financiare të para-anëtarësimit derisa të vendosë”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar Borell-it dhe der Leyen-it.

Paraprakisht është thënë se Serbia ka hyrë në vitin e dhjetë të negociatave për anëtarësim në BE me shkallë të ndryshme progresi dhe hapje të pjesëve të reja vetëm pak muaj më parë.

“Ne kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm për lidhjet e rëndësishme ekonomike, sociale dhe kulturore të Serbisë me Rusinë, prandaj autoritetet serbe kanë mbajtur një qëndrim të paqartë në lidhje me synimet e tyre të vërteta për të respektuar angazhimet e marra në kuadër të anëtarësimit në BE”.

“Në vitet e fundit, Serbia ka forcuar bashkëpunimin me regjimin e Putin-it, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit energjetik dhe ushtarako-teknik, ka forcuar marrëdhëniet me Lukashenkon në Bjellorusi dhe ka marrë donacione bujare të armëve nga të dy vendet”, thuhet në letër.

Në letrën e gjithashtu potencohet se Serbia, ka pësuar rënie të konsiderueshme në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut, lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes.

“Është vërtet befasuese të shohësh se si, pas vitesh mbështetjeje të para-anëtarësimit dhe negociatave intensive të anëtarësimit, peizazhi i medias serbe – i kontrolluar fort nga partia në pushtet SNS – lavdëron Putin-in dhe përhap lajme të rreme rreth BE-së dhe agresionit rus në Ukrainë dhe atë në baza ditore”, thuhet ndër të tjera në letër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore