Lajme

Deportimi i gruas Rohingya nga India ngjall frikën e dëbimit te refugjatët


Pas deportimit të një gruaje nga komuniteti i myslimanëve Rohingya drejt Myanmar-it, shumë refugjatë janë trembur se mos India po përgatitet t’i dëbojë ata.

37-vjeçarja Hasina Begum u deportua nga Kashmiri – administrohet nga India – dy javë më parë, megjithëse kishte marrë një aprovim nga OKB-ja për statusin e saj të refugjatit, në bazë të të cilit mbrohej nga çdo lloj arbitrariteti.

Begum ishte mes 170 refugjatëve të arrestuar dhe ndaluar në Jammu në mars të vitit të kaluar.

Burri dhe tre fëmijët e saj, të cilët gjithashtu kanë statusin e refugjatit të OKB-së, mbeten në Kashmir.

Disa ditë pas dëbimit të saj, autoritetet ndaluan edhe 25 refugjatë të tjerë Rohingya.

Ata po mbahen në burgun Hiranagar, të cilin policia e përshkroi si një “qendër mbajtjeje” për Rohingya që “jetojnë ilegalisht” në Indi.

“Janë rreth 275 Rohingya të ndaluar në qendrën e mbajtjes dhe dokumentacioni për dëbimin e të gjithëve është i plotë”, tha Prem Kumar Modi, mbikëqyrësi i qendrës.

“Ne jemi duke pritur për urdhrat e qeverisë, për t’i ridërguar ata në Myanmar”.

Ky veprim ka rritur pasigurinë e Rohingya-ve që jetojnë në Indi.

Në fillim të vitit 2019, qindra u larguan drejt Bangladesh-it, nga frika e ndalimit dhe dëbimit kur India filloi një fushatë për të regjistruar të dhënat e tyre biometrike.

Aksioni kundër 40 mijë personave të popullit mysliman Rohingya është intensifikuar që kur partia nacionaliste hindu Bharatiya Janata (BJP) erdhi në pushtet në vitin 2014.

Udhëheqësit e BJP kanë nisur fushata, duke kërkuar dëbimin e të gjithë Rohingya-ve.

Begum ishte 5-muajshe shtatzënë, me fëmijën e saj të tretë në vitin 2012, kur familja iku nga dhuna brutale në duart e ushtrisë së Myanmar-it në Sittwe.

Një goditje e mëtejshme ushtarake në vitin 2017 vrau mijëra dhe detyroi rreth 750 mijë Rohingya në kampet e refugjatëve në Bangladesh.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se refugjatët Rohingya po përballen me “rreziqe kërcënuese për jetën” në Indi dhe akuzuan autoritetet për “mospërfillje mizore të jetës njerëzore dhe ligjit ndërkombëtar”.

Refugjatët Rohingya thonë se kanë frikë të dalin për punë.

Megjithëse disa refugjatë tani po largohen nga Jammu për në qytete të tjera në Indi ose në Bangladesh, shumë prej tyre nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, sepse anëtarët e familjeve të tyre mbeten në burg.

Një grup refugjatësh Rohingya, që u larguan nga Jammu javën e kaluar, thanë se po presin të kalojnë në Bangladesh, edhe pse kushtet për refugjatët Rohingya në vend tashmë po përkeqësohen.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanain Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore