Lajme

Dënohet me 25 vjet burg i akuzuari për vrasjen e gruas së tij me sëpatë


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate për media të hënën, njoftoi se është dënuar me 25 vjet burg i dyshuari 70-vjeçar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sadije Godeni, ish-mësuese në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.

“Me datë 30 maj 2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31 maj 2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 vite”, thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në nëntor të vitit 2022 rreth orës 04:00 të mëngjesit, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur.

Kjo ngjarje kishte tronditur opinionin publik në Kosovë derisa ishin organizuar edhe protesta në Prishtinë. Ndryshe, kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore