Shqipëria

Denaj: Proces automatik për rimbursimin e TVSH-së


“Së shpejti do të kemi të ngritur një sistem rimbursimi automatik për TVSH-në e bizneseve”.

Këtë fakt e ka bërë me dije ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në një interpelancë me përfaqësues të bizneseve.

“Që të funksionojnë, sistemet duhet të jenë të ngritura në efektivitet të plotë. Kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe po punohet për to. Nuk mund të themi se do të mbarojnë të gjitha këtë vit gjithsesi. Projekti ka një afat dy vjeçar”.

Ministrja bëri me dije se kontrollet fizike nuk do të eliminohen plotësisht nga automatizimi. “Për shkak se duhen shmangur abuzimet, kontrollet fizike duhet të vazhdojnë. Ky mbetet një plan afatmesëm”.

Për sa i përket rimbursimit gjatë periudhës 2019-2020, ministrja shpjegoi se “në vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë, u shlyen 21.6 miliardë lekë detyrime ndaj bizneseve”. Në 2019-ën ndërkohë kanë qenë 23 miliardë lekë të shlyera.

“Plani ynë është që brenda qershorit, shuma e rimbursimit të detyruar të jetë zero”, theksoi Denaj. “Kemi një marrëveshje me kompanitë e mëdha që funksionon shumë mirë. Ato do të shlyhen me këste”.

Një instrument ligjor që njeh negocimin dhe pagesën me këste për kompanitë e mëdha është vënë në punë në 2019-ën. “Instrumenti realizon gjithë marrëdhënien brenda kërkesave të çdo pale”.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, ka pohuar gjithashtu procesin automatik të rimbursimit. Ajo ka nënvizuar faktin se “projekti do të jetë gati së shpejti”. “Ngritja e këtij sistemi do të shkurtojë kohën e aplikimeve nga bizneset”.

“Nëse më parë duhej aplikuar në rrugë elektronike dhe me shkrim, me sistemin do të nevojitet vetëm aplikim elektronik. Kjo do të shkurtojë ndjeshëm kohën e marrjes së përgjigjes për bizneset”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore