Lajme

Demostat: SHBA-të do të ngrisin sërish çështjen e demokracisë në Serbi kur të zbatohet Marrëveshja e Ohrit


Gabriel Escobar dhe Aleksander Vucic

Qendra Hulumtuese-Botuese e Organizatave Jo-Qeveritare në Beogard (Demostat), në një analizë të publikuar të shtunën, ka shkruar në lidhje me takimin e fundit të udhëheqësve të njëmbëdhjetë vendeve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Athinë të Greqisë.

Në fokus të analizës ka qenë takimi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte zhvilluar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, modeli i “durimit strategjik” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po ndjekin ndaj Serbisë dhe çështja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Takimi ndërmjet presidentit ukrainas dhe homologut të tij serb në kuadër të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, në dritën e agresionit rus, paraqet një situatë të favorshme për dy presidentët, ndërsa “durimi strategjik” i administratës amerikane po jep rezultate, shkruan “Demostat” ndër të tjera.

Thelbi i strategjisë së SHBA-ve ndaj Serbisë, përfaqësuar nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, sipas portalit serb, përfshin përmbushjen e njëpasnjëshme të pikave kyçe në rrugën evropiane, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) mes Kosovës dhe Serbisë.

Në analizë thuhet se çështja e demokracisë në Serbi do të kthehet sërish në qendër të strategjisë amerikane kur të zgjidhen “çështjet e mëdha” siç janë zgjidhja përfundimtare e nyjes Kosovë-Serbi dhe harmonizimi me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, sipas vlerësimit të portalit serb, procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur në masën më të madhe për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Para takimit të 21 gushtit, hera e vetme që Zelensky dhe Vuçiçi ishin takuar ishte më 1 qershor, kur kishin folur ballë për ballë në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau të Moldavisë – në nxehtësinë e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Serbia së bashku me Bjellorusinë janë vendet e vetme në Evropë që përveçse akoma nuk i kanë vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar dhe të paligshëm në Ukrainë, mbajnë lidhje të ngushta me Moskën dhe lidershipin atje.

Zyrtarët serbë në krye me Vuçiçin, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, ngase kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse edhe Beogradi gjithashtu mbështetet te Rusia, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore