Lajme

Demokratët mbajnë kontrollin e Senatit Amerikan


Demokratët do të mbajnë shumicën e tyre të ngushtë në Senatin Amerikan për dy vitet e ardhshme.

Kjo, sipas projeksioneve të transmetuesit “NBC” dhe multimedialit amerikan “CNN”.

Në këtë mënyrë, demokratët mund të vazhdojnë të kontrollojnë procesin për konfirmimin e gjyqtarëve dhe të emëruarve të degës ekzekutive për pjesën e mbetur të mandatit të Presidentit Biden.

Verdikti erdhi pas fitoreve në garat e ngushta në Nevada dhe Arizona.

Demokratët tani kanë 50 ulëse në Senat ndaj 49 vendeve të republikanëve.

Në Nevada, CNN projekton që senatorja demokrate Catherine Cortez Masto, një ish-prokurore dhe prokurore e përgjithshme e shtetit, do të mundë republikanin Adam Laxalt.

Edhe nëse republikanët fitojnë balotazhin e Georgia-s më 6 dhjetor, duke u dhënë gjithashtu 50 vende në Senat, demokratët kanë zëvendës presidenten Kamala Harris për të thyer barazimin.

Është një fitore befasuese, por kyçe për partinë – nëse do të merreshin për bazë ekspertët dhe sondazhet në javët para ditës së zgjedhjeve.

Republikanët dukeshin potencialisht fitues në shtetet kryesore të fushëbetejës, duke përfshirë Pensilvaninë, Georgia-n dhe Arizonën.

Por votuesit demokratë përmbysën parashikimet – me gjasë të nxitur kryesisht nga kërcënimi i lëvizjes antidemokratike MAGA të ish-Presidentit Donald Trump, si dhe nga humbja e Roe kundër Wade në qershor.

100 vendet e Senatit janë në thelb të ndara në mënyrë të barabartë midis republikanëve dhe demokratëve (teknikisht, demokratët kanë 48 vende dhe të pavarurit që kanë grupe parlamentare me demokratët kanë dy).

Zëvendës presidentja Kamala Harris, si presidente e Senatit, hedh vota barazuese sipas nevojës, duke u dhënë demokratëve avantazhin për të miratuar legjislacionin mbi linjat partiake.

Por ruajtja e këtij avantazhi nuk i hap rrugën demokratëve për të miratuar masa shtesë nga agjenda e Presidentit Joe Biden.

Dy senatorë demokratë konservatorë – Joe Manchin i Virxhinias Perëndimore dhe Kyrsten Sinema i Arizonës – nuk janë gjithmonë vota të besueshme partiake.

Kështu që të gjithë sytë tani kthehen në balotazhin e Georgia-s, ku demokratët mund të rrisin shumicën e tyre me një fitore të Raphael Warnock.

Shteti kyç i Georgia-s shkon në balotazh në zgjedhjet amerikane

“Mid-term” në SHBA, çfarë janë dhe pse janë të rëndësishme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore