Shqipëria

Dëmi s’vjen nga e folura, por vet e folura përbën dëm


S’ju mjafton kurrgjë.

Pa ndjenja, me një ftohtësi të akullt, vetëm shajnë. Fyejnë. Cenojnë. Poshtërojnë.

S’ndalen së vëni në shënjestër këdo që u del para syve në ekranin e pandalshëm të TikTok-ut që nxjerr prenë e radhës si me porosi.

Pse? Se ashtu u shkrepet. Nga dobësitë që i mundojnë, nga pasiguritë që u marrin frymën, nga frikërat që i tulatin.

Paçka se ka shumë për të folur për të, tanimë fenomeni ka folur edhe vet shumë.

Jo vetëm Shqipëria. E gjithë bota po përballet me gjuhën e urrejtjes.

Si një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, përdorimi i saj sjell pasoja të dëmshme për shëndetin duke infektuar një audiencë të gjerë.

Prandaj dhe sociologia Kledi Xhumri i referohet fenomenit si “pandemi kibernetike”.

Ajo tregon për “Albanian Post” se ky fenomen po rritet vazhdimisht në vijë paralele me rritjen e numrit të përdoruesve në internet.

“Pjesa më e madhe e botës tani komunikon në mediat sociale, me gati një të tretën e popullsisë së botës aktive në Facebook, Instagram dhe se fundmi në Tik Tok”, thotë ajo.

Por teksa kjo ndodh, individët e prirur drejt racizmit, mizogjinisë ose homofobisë kanë gjetur pika që mund t’i përforcojnë pikëpamjet e tyre dhe t’i shtyjnë ata drejt dhunës.

Po ashtu këto platforma u ofrojnë aktorëve të dhunshëm mundësinë për të publikuar aktet e tyre duke u bërë “shembulli më i keq, por me më shumë ndikim”.

“Shumë shpesh, liria e mendimit shfrytëzohet, duke rezultuar në gjuhën e urrejtjes dhe duke bërë për komunitetet tashmë të cenuara të nxiten më tej stereotipe dhe diskriminime”, dallon Xhumri.

Sociologia kujton një studim të vitit të kaluar në Shqipëri mbi përhapjen e gjuhës së urrejtjes, i cili flet me shifra që përbëjnë alarm për vendin tonë.

“Çdokush do të parapëlqente që studimi të ishte i rrenë, por fatkeqësisht faktet dhe ‘viktimat’ e gjuhës së urrejtjes tregojnë të kundërtën”, thotë ajo.

Hulumtimi është bazuar në reagimet e mbi 1 mijë e 800 personave ku 96 për qind te atyre e njohin mirë gjuhën e urrejtjes dhe afro 60 për qind e të anketuarve e kanë përjetuar personalisht.

Dhe po aq kanë dëgjuar për të tjerë që e kanë përjetuar.

Sipas sociologes, ky fenomen nuk prek vetëm një grup të caktuar, as grupet e cenueshme të shoqërisë, por ngacmon çdo individ përdorues të çdo rrjeti social.

Përhapje dhe dëme

Problemi është se po kaq të gjera janë edhe pasojat e padëshirueshme.

Xhumri tregon se gjuha e urrejtjes online është bërë një nga metodat më të shpeshta për përhapjen e retorikës dhe ideologjive përçarëse në shkallë globale, duke kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë paqen.

“Ne duhet të jemi në gjendje të kuptojmë se dëmi nuk shkaktohet nga e folura, por vet e folura përbën dëmin”, ravijëzon sociologia.

Dhe se për këtë nuk ka vend as për pyetje as për gjetjen e provave të tjera. Rezultatet janë publike, njihen në nivel botëror.

Dëmtimi i rendit psikologjik i grupeve të synuara, presioni social, prishja e marrëdhënieve harmonike mes komuniteteve dhe kërcënimi ndaj ligjit dhe rendit, janë veç disa nga pasojat.

Për fat të mirë, mediat sociale e kanë aftësinë të tërheqin audiencë me miliarda, duke lehtësuar procesin e shpërndarjes së informacionit dhe eliminimit të kufijve.

Por “e njëjta teknologji që lejon mediat sociale të nxisin aktivistët e demokracisë mund të përdoret nga grupet e urrejtjes që kërkojnë të organizohen dhe rekrutojnë.

Madje, shpeshherë mesazhet “keqkuptohen, keqpërdoren dhe keqinterpretohen për interesa personale”.

Xhumri shkon edhe më tej duke thënë se gjuha e urrejtjes është kthyer në formë marketingu nga pushtetarët.

Ofendimet, agresiviteti, presioni dhe kërcënimet, sipas saj kanë arritur të ndikojnë në popullsi.

“Interesi për më shumë shikueshmëri, klikime e pëlqime i manipulon përdoruesit e mediave sociale duke përdorur këtë lloj gjuhe.”, thotë ajo.

Dhe është provuar e faktuar se të tillë përdorues kanë ndikim masiv te ndjekësit e tyre.

Nuk janë të pakta studimet anembanë botës që merren me faqet me më shumë klikime. Ka rezultuar se shikueshmëria më e lartë i përket atyre faqeve që përdorin fjalor të papërshtatshëm, duke ushtruar presion dhe dhunë psikologjike mbi grupet e synuara.

Paçka se ky fenomen prek shoqërinë në tërësi, shumë psikologë e kanë shpjeguar sjelljen e përdorimit të gjuhës së urrejtjes si veprim individual.

“Shpeshherë, personat që përdorin gjuhë të tillë në botën virtuale vijnë nga përvoja të frikshme, nga një ambient i rëndë dhune, qoftë fizike apo psikologjike”, tregon Xhumri.

Mendohet se përmes asaj gjuhe dalin në pah pasiguritë, fobitë dhe e shkuara e secilit përdorues.

Mbrohet gjerësisht teoria se është një çrregullim personal. Sepse besohet se është fenomen i ndarë në stade, nis nga individi dhe përhapet në komunitet.

Në botën e TikTok-ut

TikTok-u është “shembulli konkret” i algoritmeve që maksimizojnë angazhimin e përdoruesve duke promovuar shpesh përmbajtje ekstreme.

Gjatë pandemisë ai ka “thyer çdo barrierë”.

“Ideologjia fillestare e TikTok-ut ishte për të sjellë ide origjinale dhe për të nxitur kreativitetin. Por shikueshmëria e lartë solli përpos kësaj edhe dëme”, thotë Xhumri.

Të tilla si varësia, ndikimi negativ në shëndetin mendor duke vendosur standarde joreale dhe terreni për bullizëm kibernetik.

“Në thelb, TikTok-u është krijuar për të shtuar përdorues aktiv, për të mësuar rreth shijeve tona, orientimeve seksuale, statusit të shëndetit mendor dhe informacione të tjera sensitive për të përfituar prej tyre në vazhdimësi”, shpjegon sociologia.

Paçka se platforma ka disa politika për të frenuar gjuhën e urrejtjes, ato “nuk shkojnë aq larg sa duhet”.

A ka zgjidhje?
“Arsimi duhet të jetë në qendër të përpjekjeve, veçanërisht si një mjet parandalimi”.

Sipas Xhumrit, ai mund të jetë baza për të luftuar intolerancën dhe diskriminimin, rritjen e ndërgjegjësimit, adresimin e shkaqeve rrënjësore të gjuhës së urrejtjes dhe avancimin e përfshirjes dhe bashkëjetesës paqësore.

Por për të trajtuar një çështje kaq komplekse, lind nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse.

Një qasje që të përfshijë “masa jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe kulturën dhe informacionin e ndërlidhur, me synimin për të eliminuar paragjykimet racore dhe gjinore”.

Rol madhor ka edhe shoqëria civile.

Thirrja e saj është të mos mbetet vetëm midis lëndëve mësimore ose kurikulës, por të niset të pranohet ekspertiza e dikujt tjetër të jashtëm.

“Shoqëria civile me vite ka treguar me fakte, analiza dhe hulumtime se vendi jonë ka shumë nevojë për përmirësime në çdo sektor”, thekson ajo.

Për Xhumrin, të rinjtë kanë nevojë për informacion real, të prekshëm, edukim dhe për më tepër nxitje për të qenë ata që do të ndryshojnë të ardhmen.

Dhe se programet e edukimit joformal apo fushatat ndërgjegjësuese të OJF-ve i prekin këto tema delikate në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore