Lajme

Delegacioni i Kosovës në KiE: Është ngjarja më e madhe pas pavarësisë – shumica e shteteve janë në anën tonë


“Është ngjarja ma e madhe pas pavarësisë së Kosovës”.

Kështu ka thënë në një bisedë për Albanian Post nga Strasburgu, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan, i cili është pjesë e delegacionit të Kuvendit që do të marrë pjesë në sesionin historik për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Gjasat janë të mëdha për t’u bërë anëtare Kosova, meqë me vite të tëra kemi punuar në këtë drejtim. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur shumë takime dhe mendoj që atmosfera është në favor të Kosovës”, shprehet i bindur Kervan.

Kur pyetet për votat që mund të jenë kundër Kosovës, ai thotë se ka deputetë të shteteve që nuk e njohin Kosovën, por që mund të votojnë pro anëtarësimit të saj në KiE.

“Ka deputetë që marrin vendime individuale. Po shpresojmë me shumicë të votave do ta bëjmë hapin e radhës për anëtarësimin e Kosovës. Ne jemi ende duke punuar, deri në minutën e fundit”, shtoi ai.

Po ashtu, deputeti nga radhët e komunitetit turk, ka treguar se deputetët e Serbisë në çdo takim kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke paraqitur argumentet e tyre jo të sakta.

Ndërkaq deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka theksuar se në të dy takimet në Komiteteve, në atë për Barazi dhe Mosdiskriminim dhe në Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut diskutimet dhe votimet treguan se shumica dërmuese janë në anën e Kosovës.

“Në të parin votimi ishte i qartë, 30 vota ishin për, 2 kundër dhe 4 abstenime ndërsa në të dytin, në Legal 23 vota PËR dhe 3 KUNDËR. Ky trend i votimit tregon saktë se 2/3 e votave janë reale për votimin e sotshëm. Për pak do të kemi edhe një betejë atë të mos votimit të 16 amandamendeve, shumica të inicuara nga Delegacioni Serb”, ka shkruar ai.

“Gjatë diskutimeve theksova se Kosova i plotëson standardet dhe kushtet. Këtë e kanë thënë tashme Juristët Eminent dhe te tri raportueset”.

Tahiri ka potencuar se anëtarësimi i Kosovës i hapë rrugë edhe minoriteteve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe është fitore e të gjithëve.

Ndryshe, këtë të martë Kosova mund të jetë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, meqë Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Por, do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore