Shqipëria

Del e vërteta e Albanian Post – Publikohet video e vjedhjes së shtëpisë së kreut të SPAK


Mbrëmjen e 2 gushtit 2021, Albanian Post raportoi një lajm ekskluziv se shtëpia e pushimit e kreut të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Arben Kraja, në Gjirin e Lalëzit, ishte vjedhur dhe dëmtuar nga disa hajdutë, të cilët përpos shtëpisë së Krajës, kishin vjedhur edhe disa banesa të tjera në zonë, duke krijuar shqetësim tek banorët.

Vetë Kraja, një ditë pas publikimit të lajmit, do të deklaronte se lajmi ishte tërësisht i pavërtetë dhe se ishte stisur për të dëmtuar figurën e SPAK-ut, në një çast vendimtar për Shqipërinë, në implementimin e reformës në drejtësi.

Çështja më pas mbeti në heshtje.

Shtatë muaj më pas, ajo rikthehet në dritë!

Media online “5 pyetjet”, mesditën e 1 shkurtin, ka publikuar videon ekskluzive të vjedhjes së shtëpisë së Krajës në Gjirin e Lalëzit.

Në të, duken dy persona, të cilët hyjnë në oborrin e shtëpisë. Ora kur ata futen në godinë, është 01:27 e mëngjesit. Pas 12 minutash, ata kanë dalë nga shtëpia e Krajës dhe janë rikthyer sërish në orën 01:40.

Vetëm mjeti i kreut të SPAK, duket në video sipas publikimit. Ndërsa, mbi fatin e hajdutëve, asgjë nuk dihet.

Mohimi i çështjes nga Kraja, rezulton kështu të mos ketë qenë i sinqertë.

E kontaktuar disa herë nga Albanian Post, Policia e Durrësit mohoi që në zonën e Lalëzit të kishte pasur asokohe vjedhje të shtëpive.

Por, banorët e zonës, të kontaktuar nga redaksia, e pohonin tërësisht faktin, duke shprehur edhe shqetësim – madje disa duke dëshmuar – se shtëpitë vidheshin rregullisht në zonë.

Po ashtu, atëherë u dëshmua se në zonë, ka pasur një prani të shtuar të veturave policore, të cilat po ushtronin kontrolle mbi ankesat në fjalë.

Një prej burimeve të Albanian Post mbi ngjarjen, ka qenë edhe një prej banorëve të zonës.

Sipas tij, po të njëjtit grabitës i kishin vjedhur kuletën e disa sende me vlerë. Ndërsa, kartat e identitetit, i kishin hedhur në oborrin e shtëpisë.

Metoda e hyrjes në banesa sipas dëshmitarit, është ajo e futjes në godinë nëpërmjet dritareve.

U deshën shumë muaj e mohime, por e vërteta e ngjarjeve në Lalëz, duket se po del në dritë, ku mes tyre, është edhe ajo e vjedhjes së banesës së kreut të SPAK, Arben Kraja, i cili ende nuk ka reaguar mbi publikimin e videos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore