Shqipëria

Dekriminalizimi: Prokuroria përfundon verifikimin për Tom Doshin – fjala e fundit KQZ-së


Përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se ka përfunduar verifikimet për ish-kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, në kuadër të dekriminalizimit.

Institucioni i drejtësisë ka sqaruar më tej se rezultatet i ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ky i fundit, sipas prokurorisë, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit për pastërtinë e figurës.

KQZ-ja duhet të vlerësojë nëse ato rezultate janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.

Dorëheqja nga kryesimi i PSD-së

Tom Doshi njoftonte dorëheqjen e tij të parevokueshme nga mandati i deputetit, disa orë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri.

“Me vullnetin tim të lirë dhe të plotë, deklaroj se në datën 26 prill, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, shkruante Doshi në letrën e dorëheqjes.

Gjithashtu, ai hiqte dorë nga mandati i fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Doshi ka qenë një ndër deputetët, të cilët Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e ka përmendur si “në listën e zezë” të amerikanëve. Thirrje ka bërë shpesh ambasadorja, të mos votohen njerëzit e inkriminuar, duke përmendur jo pak herë edhe vetë Doshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore