Sport

Deklarata zyrtare e Chelsea-t pas ngrirjes së aseteve të Abramovich-it


Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mori vendim që të ngrijë të gjitha pasuritë e pronarit të Chelsea-t, Roman Abramovich.

Miliarderit rus iu ngrinë të gjitha pasuritë, si pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj tij, pas lidhjes që ai ka me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Si pjesë e sanksioneve të vendosura nga qeveria, tani klubi i Chelsea-t nuk mund të shesë bileta të ndeshjeve, të blejë, shesë apo zgjatë kontratat e futbollistëve, e as nuk mundet të shesë produkte nëpër dyqanet e tyre.

Në deklaratën e Chelsea thuhej: “Klubi i futbollit Chelsea është informuar se pronari, Roman Abramovich është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar”.

“Në bazë të pronësisë së tij prej 100 për qind të Chelsea FC dhe subjekteve të lidhura me to, klubi normalisht do t’i nënshtrohej të njëjtit regjim sanksionesh si z. Abramovich”, thuhet më tej në deklaratë.

“Mirëpo, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një licencë të përgjithshme, e cila lejon që Chelsea FC të vazhdojë aktivitete të caktuara”.

“Ne do t’i zhvillojmë normalisht ndeshjet e sotme të ekipeve tona, kundër Norwich në konkurrencën e meshkujve dhe ndaj West Ham te femrat, pastaj synojmë të diskutojmë me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me fushëveprimin e licencës”.

“Kjo do të përfshijë kërkimin e lejes për ndryshimin e licencës në mënyrë që të lejohet klubi të funksionojë sa më normalisht të jetë e mundur”.

“Do të kërkojmë gjithashtu udhëzime nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për ndikimin e këtyre masave në Fondacionin Chelsea-t dhe punën e tij të rëndësishme në komunitetet tona”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore