Lajme

“Datë fikse s’ka, por synojmë të arrijmë një marrëveshje të shpejt në mes të Kosovës dhe Serbisë”


Pierre Cochard

Për ambasadorin e Francës në Serbi, Pierre Cochard, korniza e re e dialogut e përpiluar pas angazhimit të Emmanuel Macron dhe Olaf Shcolz, ka për synim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.

Sipas diplomatit francez edhe pse për arritjen e një marrëveshjeje në mes të dy vendeve duke marrë për bazë propozimin franko-gjerman, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator, nuk ka një datë e caktuar, e njëjta duhet të arrihet në afatin më optimal.

“Ne, natyrisht, shpresojmë që gjërat të ecin shpejt, e dialogut të finalizohet sa më shpejt që është e mundur, sepse është në interes të të gjithëve duke përshirë edhe popullatën serbe në Kosovë”, ka thënë Cochard në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug.

Për Cochard, Bashkimi Evropian me propozimin franko-gjerman nuk po synon të vë në presion palët, sidomos Beogradin.

“BE-ja nuk udhëhiqet nga logjika e shantazhit”, ka shtuar ai.

I pyetur për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Cochard ka theksuar se Franca pa mëdyshje dhe pa asnjë hezitim është për formimin e tij.

Sipas tij tashmë palët çështjen e asociacionit e kanë në tryezë për të cilin duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë mënyra se si ai mund të zbatohet.

“Një nga qëllimet e propozimit franko-gjerman është që të përkrahet ndërmjetësimi i Miroslav Lajçak dhe se qëllimi është pikërisht diskutimi i përmbajtjes së Asociacionit. Është një element i rëndësishëm i marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni është diçka që ofron garanci për vetëqeverisje për serbët në Kosovë, është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit”, ka pohuar ai.

Këtë javë Kurti takohet me Macron dhe Scholz, u tregon qëndrimin e Kosovës për propozimin franko-gjerman

Qeveria e Kosovës tashmë ia ka dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, propozimet e veta, pasi ka parë planin franko-gjerman, ka zbuluar zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Në një intervistë të gjatë për Radio Evropa e Lirë, Bislimi ka pranuar të flas më në detaje rreth propozimit, por pa dhënë shumë informata rreth asaj se çfarë përmban dokumenti.

Ajo çfarë ka mundur të ndajë zëvendësi i Albin Kurtit me publikun është se propozimi “pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë”.

“Andaj, edhe propozimi që del nga aty është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Kosova do ta ketë një përgjigje definitive për këtë propozim shumë shpejt, ka treguar Bislimi.

Kur të udhëtojë Kurti për në Procesin e Berlinit, “aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore