Libra

“Dashuria, shpirti dhe vdekja” në Harry Potter


Harry Potter and the Deathly Hallows

A është vdekja vërtetë fundi? A është dashuria forca më e madhe në jetë? Çka i bën dhuna shpirtit të njeriut? Këto pyetje që përbëjnë subtstratin filozofik të librave dhe serive fantastike të “Harry Potter”, i trajton libri nga bashkëautorët, William Irwin dhe Gregory Bassham, “The Ultimate Harry Potter Philosophy: Hogwarts for Muggles”.

Ky libër i dy autorëve përveç pyetjeve të përgjithshme e të mëdha për dashurinë, shpirtin, vdekjen, drejton vështrimin edhe te aspektet e veçanta fantastike të horkruksëve dhe relacionin e tyre me shpirtin (Voldemort që copëton shpirtin përmes horkuksëve), programin piraterik “Pottewatch” dhe marrëdhënien e saj me lirinë dhe politikën, çfarë shtrihet prapa vellos së Departmentit të Mistereve në Harry Potter, dhe një gjë mjaftë të diskutueshme, atë të seksualitetit të Dumbledore.

Edhe pse të lë shije akademike – edhe në parathënje të librit shkruan se lexuesi duhet të “përgatitet për një festë filozofike” – në fakt, autorët janë fansa sikurse ne, që e zgjerojnë tematikën duke ndriçuar aspekte të filmit me ide të filozofëve si Dekarti.

Kapitulli “Fati i Botës së Magjisë” zhytet në kategori profetike të mendimit – kompatibilistët mendojnë se ne mund të jemi të lirë nga gjërat e përcaktuara nga jashtë – kurse libertarianët mendojnë se ne jemi krejtësisht të lirë sepse s’ka asgjë që përcakton vendimet tona para në kohë.

Po aq intriguese është diskutimi i Severus Snape në kapitullin “Të zgjedhës dashurinë: Shpëtimi i Severus Snape-it”, ku patronus-i i tij është identik me atë Lily Potter (nënës së Harry-t), e vetmja grua që ai ka dashuruar.

Në këtë kapitull kjo anë e patreguar e Snape-it trajtohet përmes konceptit të dashurisë te Aristoteli, si gjysma e dytë shpirtërore, ku na vihet në kontrast me një njeri të cilin në seri e shohim vetëm si të errët, deri në fund të librave/filmave.

Ky libër merr përsipër identifikimin e filozofive të J.K Rowling, dhe i shpalos për një audiencë të inklinuar nga filozofia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore