Shqipëria

DASH vlerëson performancën e SPAK-ut: Ka arrestuar ish-ministra, deputetë në detyrë dhe kryebashkiakë


Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka vlerësuar performancën pozitive të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion të Shqipërisë (SPAK).

Lajmi u bë i ditur gjatë publikimit të DipNote-it, “Njohja e Kampionëve Anti-Korrupsion 2022” me autor Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Me ndihmën e SHBA-ve, Shqipëria krijoi një Organ të Posaçëm Kundër Korrupsionit si një ent i ri elitar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në muajt e fundit, organi ka arrestuar ish-ministra, deputetë në detyrë, gjyqtarë, policë, prokurorë, kryebashkiakë dhe krerë nga krimi i organizuar”.

Ky vlerësim performance është rezultat i Strategjisë Globale të SHBA-ve në “Luftën kundër Korrupsionit dhe Samitit për Demokraci Viti i Veprimit”, nismëtuar nga Presidenti Biden para një viti.

Pas takimit personal që ndihmës sekretari pati edhe me drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja, ai siguroi në emër të DASH-it se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin edhe më fuqimisht SPAK-un.

Kjo, në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e rezultateve në luftë kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Kujtojmë që më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi më 21 nëntor listën për kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme.

Konkretisht emrat e prokurorëve janë: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Këshilli pati në dispozicion 45 ditë për t’u njohur me dokumentacionin dhe platformat e aplikantëve që kandiduan.

Pas këtij prezantimi do të mbahen seanca dëgjimore me secilin prej kandidatëve, me qëllim që, deri në datën 18 dhjetor të mundësohet zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore