Lajme

DASH-i qorton Serbinë: Mos i ofroni Putinit platformë për ta promovuar agresionin


Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) deklaroi në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” se janë të vetëdijshëm për takimin që ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, zhvilloi të enjten me homologun rus, Sergei Lavrov, duke apeluar Serbinë që të mos i japë hapësirë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që ta promovojë ose justifikojë agresionin në Ukrainë.

“Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë Putinit një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës”, tha DASH-i për takimin Daçiç-Lavrov në Moskë.

Daçiçi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë – ndeshja e parë e futbollit të ekipit kombëtar rus kundër një kundërshtari evropian që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitin 2022.

Që nga vendosja e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë pas sulmit të Putinit ndaj Ukrainës, zyrtarët serbë përsërisin se Serbia nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës nën arsyetimin se kështu mbron “interesat vitale” të shtetit. Daçiçi theksoi pas takimit me Lavrovin se ruajtja e marrëdhënieve të ngrohta me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.

Aleanca midis Serbisë dhe Rusisë është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Rusia dhe Kina janë dy fuqitë e vetme botërore që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore