Lajme

Dardan Krivaqa dënohet me tetë muaj burg, për veprën penale detyrim


Dardan Krivaqa.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Dardan Krivaqa prej tetë muaj, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale “detyrim”.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrim të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me burgim.

“I pandehuri Dardan Krivaqa akuzohet se më datë 14 nëntor 2012, në Ferizaj, me qëllim që vetes t`i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me forcë dhe kërcënim serioz e ka detyruar të dëmtuarin B.Q., të veproj në dëme të pasurisë së tij, në atë mënyrë që përmes kërcënimit se: “ka me të mbyt ty, nënën dhe baban nëse nuk më jep para”.

Gjykata Themelore ne Ferizaj.

“Ashtu që ky kërcënim ka shkaktuar shqetësim dhe ankth te i dëmtuari dhe i njëjti është detyruar që të veproj kundër pasurisë së tij, dhe të pandehurit t`i jap: këpucë, dy playstation dhe gjëra të tjera të ndryshme materiale”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj më 25 gusht kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, kundër të pandehurit Dardan Krivaqës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore