Shqipëria

Daily Mail: Nuk ka të akuzuar për të renë angleze të mbytur në Sarandë, i ati kërkon drejtësi


Një baba ka akuzuar autoritetet shqiptare për ‘zvarritje’, pasi nuk kanë akuzuar askënd për vdekjen e vajzës së tij në një aksident zhytjeje një vit më parë.

Rebecca Gannon, 29 vjeç, ndërroi jetë teksa ishte me pushime me të dashurin e saj Robert Kerans, pasi ata u zhytën për të parë rrënoja të mbytura.

Babai George Gannon, 61 vjeç, i ka kaluar dhjetë muajt e fundit në qytetin bregdetar të Sarandës në kërkim të përgjigjeve dhe mbi të gjitha drejtësisë, por ka hasur në heshtje nga zyrtarët.

George, nga Stone, Staffordshire, ka thënë se “kjo i ka kushtuar familjes time, biznesit tonë dhe mendjes sonë, por ne nuk do të ndalojmë së luftuari derisa të marrim drejtësi për Beccie”.

Ai u nis për në Shqipëri një muaj pas varrimit të saj dhe kaloi dimrin, pranverën dhe pjesën e parë të verës në vend për të gjetur se çfarë ndodhi.

“Si mundet që një vajzë e re me gjithçka për të pritur në jetë të vdesë gjatë pushimeve? Pse ne si familje nuk mund të marrim asnjë përgjigje se çfarë ka ndodhur saktësisht?”, ka pyetur ai.

Sipas tij, ajo ishte një zhytëse me përvojë dhe ishte zhytur në Zelandën e Re, Australi, Amerikën e Jugut, Kanada dhe Angli.

Kishte vite përvojë dhe ishte krejtësisht e shëndetshme.

Ai ka treguar se ka kërkuar të flasë me prokurorët dhe se ka qenë shumë i sjellshëm me ta, por siguria nuk e ka lejuar as të kalojë derën.

“Çertifikata e saj e vdekjes thotë se ajo u mbyt, por unë, gruaja ime, djali im dhe vajza duam të dimë pse ajo vdiq dhe ne duam drejtësi”, ka thënë ai.

“Si mund të ndodhë që pothuajse një vit më vonë asgjë nuk ka ndodhur? Është një rast i hapur dhe i mbyllur. Nuk është e komplikuar, janë njerëzit që organizuan udhëtimin dhe ne duam t’i shohim ata para një gjyqtari, por nuk duket se do të ndodhë së shpejti”.

Marrë nga “Daily Mail”, përshtatur për “Albanian Post”.

Sarandë/ Mbytet shtetasje angleze, policia jep detajet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore