Muzikë

Daddy Yankee njofton tërheqjen e tij nga muzika


Një nga emrat më të mëdhenj të muzikës reggaeton, rep artisti, Daddy Yankee ka njoftuar se do të tërhiqet nga industria muzikore pas 32 vitesh karrierë.

“Kjo garë, e cila ka qenë një maratonë, më në fund sheh qëllimin final. Tani do të shijoj atë që të gjithë ju më keni dhënë”, tha këngëtari në një video deklaratë të postuar në YouTube.

“Njerëzit thonë se unë e bëra këtë zhanër në mbarë botën, por ishit ju që më dhatë çelësin për të hapur dyert për ta bërë atë më të madhin në botë”, ka shtuar ai.

Artisti do t’u japë lamtumirën fansave të tij me një turne dhe album të fundit, i cili titullohet “Legendaddy” – i njëjti pritet të publikohet më 24 mars të këtij viti.

Daddy Yankee.

“Unë do t’ju jap të gjitha stilet që më kanë përcaktuar në një album të vetëm “Legendaddy” – është luftë, është festë dhe është romancë”, ka shpjeguar ai.

Përndryshe, hiti i famshëm, “Gasolina”, një nga këngët më të njohura të këngëtarit, e cila doli në vitin 2004, jo rrallë herë vlerësohet për prezantimin e reggaeton në një audiencë ndërkombëtare. Gjithashtu, në karrierën e tij të gjerë, Daddy Yankee shiti më shumë se 30 milionë disqe.

Daddy Yankee.

Në vitin 2017, Yankee bashkëpunoi me portorikanin Luis Fonsi në “Despacito”, një këngë rekord që u ankorua në krye të “Billboard’s Hot 100” për 16 javë dhe është po ashtu  videoja e dytë më e transmetuar e të gjitha kohërave në YouTube.

Turneu i tij Botëror “La Última Vuelta” do të nisë më 10 gusht në Portland të Oregonit dhe do të zgjasë deri në dhjetor, duke përfunduar me një datë në Mexico City.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore