Lajme

Daçiç pritet ta vizitojë Rusinë


Sergei Lavrov dhe Ivica Daçiç

Federata Ruse dhe Serbia po organizojnë vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, në Moskë, ka thënë këtë të premte ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke shtuar se “Perëndimi e pengoi vizitën” e tij në Beograd në qershor të vitit të kaluar, kjo pasi që disa vende kishin ndaluar fluturimet nga Moska në Beograd, për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

“Me Ivica Daçiç-in, mikun tim të mirë e të vjetër, kam bërë marrëveshje që në këtë situatë të vinte në Rusi. E pres kur të zgjedhë një datë që i përshtatet”, ka thënë Lavrov në një konferencë për media online.

“Nuk e di nëse kjo do të shkaktojë kërkesa të reja të pacipë nga Perëndimi që Ivica Daçiç të mos udhëtojë në Rusi, në çdo rast kemi një marrëveshje të tillë”, shtoi ai, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Ndërkaq, kryediplomati rus shprehu indinjatën e tij për mosrealizimin e vizitës së tij në Serbi vitin e kaluar, duke pretenduar se Perëndimi e pengoi atë të mbërrinte në Beograd dhe se ai nuk kishte arsye “të zemërohej me autoritetet serbe”.

“Rusia i është mirënjohëse Qeverisë së Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç për hapjen e tyre ndaj kontakteve me palën ruse”.

Tutje, Lavrov shtoi se shteti që ai përfaqëson “solidarizohet me popullin serb në mbrojtjen e Rezolutës 1244” – pas gjendjes së krijuar në Veri të Kosovës – “dhe të gjitha parimeve për të cilat është rënë dakord në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

“Moska ka kontakte të rregullta me Beogradin për këtë çështje”.

Ndryshe, kjo vizitë e paralajmëruar e kryediplomatit serb në Kremlin vjen në kohën kur e gjithë bota demokratike ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Ndërsa, Serbia është nga vendet e pakta në kontinentin e vjetër që nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Vendet perëndimore vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet e Serbisë që t’i bashkohen linjave të tyre politike sa i përket Rusisë, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndohur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore