Shqipëria

Çuçi takim me zyrtarë të lartë në Greqi, në fokus edhe bashkëpunimi policor


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Bledi Çuçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi.

Ditën e sotme, ai ka takuar përfaqësuesit e disa shoqatave të komunitetit shqiptar që jeton e punon në Greqi.

“Janë grupime tejet aktive në adresimin e problemeve me të cilat ndeshen shqiptarët. Komunikimi i shpeshtë krijon premisa për të identifikuar çështjet që duhen adresuar për zgjidhje tek autoritetet greke, por edhe te shteti amë, qofshin ato çështje të mbartura nga e kaluara apo të krijuara së fundmi”.

Çuçi theksoi se ka ende probleme, për të cilat ne po bashkërendojmë punën me palën greke për t’i rregulluar.

Një ditë më parë, ai u takua me ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi, Panagiotis Theodorikakos, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin policor mes dy vendeve, për luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Kemi kaluar nga faza e shkëmbimit të informacionit në atë të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, çka dëshmon për nivelin e lartë të besimit mes policisë së të dy vendeve”.

Gjithashtu Çuçi është takuar me ministrin e Brendshëm, Makis Voridis.

“Diskutuam për sfidat e përbashkëta të qeverisjes vendore në dy vendet tona dhe thellimin e bashkëpunimit për të përfituar prej programeve të Bashkimit Evropian në fusha të ndryshme”.

Ai theksoi se si vend i BE-së, Greqia ka një përvojë të çmueshme në këtë drejtim. Ministritë e Brendshme të të dy vendeve do të lehtësojnë në maksimum procesin dhe do të ofrojnë të gjithë asistencën e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore