Shqipëria

Çuçi: Shqipëria, vend model në parandalimin e radikalizmit


“Shqipëria vlerësohet si vend model në parandalimin e radikalizmit dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm”.

Kjo do të ishte deklarata e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, të mërkurën e 15 qershorit në konferencën Globale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Synimi i kësaj konferencë kishte të bënte me rëndësinë thelbësore të Rehabilitimit dhe Riintegrimit në përpjekjet ndërkombëtare për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

Konferenca e nivelit të lartë, e bashkëorganizuar nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian dhe Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës së Komunitetit (Global Community Engagement and Resilience Fund, GCERF), u fokusua në nevojën për të rehabilituar dhe ri-integruar të kthyerit nga konfliktet jashtë vendit, përfshirë dhe familjet e tyre.

Ministri Çuçi, në fjalën hapëse të konferencës përmendi edhe njëherë operacionin e katërt të finalizuar pak javë më parë për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit në Siri.

Ai tha se kjo është një punë që do të vijojë, ndërsa evidentoi faktin si riintegrimi i këtyre shtetasve kryhet sipas një modeli tashmë të konsoliduar pranë një strukture të specializuar “Qendër Pritëse” e ngritur enkas me VKM.

“Shqipëria miratoi një qasje gjithëpërfshirëse qeveritare. Agjencitë e zbatimit të ligjit, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale duhet të punojnë krah për krah për të garantuar procese të shëndosha rehabilitimi dhe ri-integrimi në komunitet nën koordinimin e Qendrës së kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, tha Çuçi në fjalën e tij.

Në përfundim Ministri e mbylli me një mesazh se rajoni i Ballkanit Perëndimor është angazhuar në një dialog dhe rrjet kapilar për të trajtuar këto sfida duke përdorur praktikat më të mira si pjesë e sfidës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore