Shqipëria

Çuçi kërkon miratimin e marrëveshjes me Britaninë: Përforcon sigurinë në rajon


Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, në seancën plenare të 16 dhjetorit, ka kërkuar nga deputetët parlamentarë të miratojnë marrëveshjen mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, mbi disa çështje ligjore.

Në fokus të kësaj marrëveshjeje ka qenë riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë, nga kostoja e transportit, te mbrojtja e të dhënave personale etj.

Gjithashtu parashikon kthimin e emigranteve të paligjshëm, duke rritur kështu bashkëpunimin në fushën e emigracionit të paligjshëm, sipas ministrit, për të parandaluar çdo linjë kriminale që mund të bëhet në këtë drejtim.

“Kjo marrëveshje vjen si propozim i Britanisë në kuadër të daljes nga Bashkimi Evropian (BE), në pajtimin e legjislacionit mes dy shteteve”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se do ta përforconte sigurinë në rajon.

Ministri i Brendshëm tha se garantimi i emigracionit të sigurte, nga dhe përmes Shqipërisë, “mbetet një ndër objektivat e çështjeve të brendshme”.

“Fenomeni i emigracionit shoqërohet dukshëm me trafikimin kontrabandë të qenieve njerëzore, në dhjetor të 2020 kemi miratuar strategjinë integrale të kufirit 2021-2027 që kërkohet që të jepet përgjigje sfidave të emigracionit”.

Ai tha se, edhe më parë, në vitin 2003, ka pasur marrëveshje bilaterale me Britaninë e Madhe dhe Irlandës së Veriut, por “zhvillimet ndërkombëtare sollën nevojën për rinovim.

Hetimet e krimeve do të lehtësohen edhe më shumë falë një marrëveshjeje të radhës mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, mbi ndarjen e të dhënave të ADN-së për qëllim forcimin e ligjit, mes dy vendeve.

Ishte ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, ai i cili zhvilloi një takim me homologen e tij britanike, Priti Patel, të hënën e 29 nëntorit.

Lajmin mbi marrëveshjen e arritur e ka shpërndarë ministrja britanike, nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Shqipëria është një partner kyç në luftën ndaj disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi, që nga emigrimi i jashtëligjshëm deri te krimi i organizuar”, shkruan Patel.

Më tej, ajo vijon me njoftimin e marrëveshjes së radhës mes dy vendeve. Sipas Sekretares së Punëve të Brendshme, kjo ujdi do të ndihmojë të dy vendet të përshpejtojnë hetimet ndaj krimit dhe të vendosin rendin e shtetit ligjor.

Vetë Çuçi, është shprehur optimist mbi bashkërendimin e punëve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore