Shqipëria

Çuçi dhe Manja zbulojnë prioritetet për 2023: Nga policia kriminale te harta gjyqësore


Me fillimin e vitit të ri 2023, aktorë të ndryshëm qeveritarë kanë shpalosur prej ditësh prioritetet institucionale duke filluar nga diplomacia e duke përfunduar te shëndetësia.

Radha i takoi institucioneve të sigurisë së brendshme dhe drejtësisë me përfaqësuesit e tyre Bledi Çuçi dhe Ulsi Manja.

Jo pak herë është dëshmuar ky bashkëpunim dypalësh, për shkak të fushave të përgjegjësisë, edhe në paraqitjen e projektligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Fillimisht, ishte ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili e vuri theksin te reforma e Policisë Kriminale gjatë caktimit të prioriteteve të vitit 2023 për t’u përballur me krimin e organizuar.

“Gjatë vitit 2022 jam shumë i kënaqur me ristrukturimin dhe ndarjen e punës së Policisë Kriminale nga ato që quhen krimet në volum (krimet e lehta) duke u fokusuar te krimet në fushën e narkotikës, krimit të organizuar dhe vrasjet”, u shpreh fillimisht zyrtari shqiptar.

Sipas tij, kjo reformë ka qenë e rekomanduar nga partnerët perëndimorë dhe në bashkëpunim me palën gjermane në veçanti.

“Policia Kriminale nga fillimi i këtij viti do të riorganizohet brenda vetes saj dhe do të shkëputet nga vertikaliteti i zinxhirit komandues të krimeve të lehta”, zbuloi Çuçi.

Thënë kjo, ndarja do të fillojë nga qendra, në strukturën qendrore të Policisë së Shtetit, duke shtrirë të gjithë vertikalitetin sipas drejtorive të posaçme duke ngritur një institucion që do të merret me fushën e lëndëve narkotike, shtoi ministri.

“Kemi ndarë një drejtori të veçantë me narkotikët, që do merret me grupet e organizuara dhe me krimet e rënda. Pra do jenë të ndara në departamente. Unë besoj që ky ristrukturim do i japë shtysë shumë të madhe dhe shumë shpejt do shohim pritshmëri të reja në luftën kundër trafikut njerëzor, bandave të strukturuara”, theksoi zyrtari.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ulsi Manja, deklaroi se për vitin 2023 objektivi i tij kryesor do të jetë zbatimi i hartës së re gjyqësore.

Kjo e fundit do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Manja sqaroi se zbatimi i kësaj VKM-je fillon më 1 shkurt me riorganizimin e gjykatave të apelit.

Do të vazhdohet me riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë dhe do të përmbyllet në korrik të vitit 2023 me riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë.

“Miratimi i hartës së re gjyqësore”, cilësoi zyrtari shqiptar, “ka qënë një arritje e jona sa i përket politikave në fushën e drejtësisë”.

Gjatë një deklarate për mediat në korrik të vitit 2022, Manja do të njoftonte miratimin zyrtar të hartës së re gjyqësore.

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një gjykatë apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore