Lajme

COVID-i si rrezik afatgjatë për shëndetin mendor, sipas një hulumtimi


Miliona njerëz që kanë kaluar COVID-in ende përballen me një rrezik më të lartë të kushteve neurologjike dhe psikiatrike.

Referuar një studimi të fundit, ata përballen me një rrezik në rritje të ankthit dhe depresionit.

Thuajse 600 milionë raste me COVID janë regjistruar në mbarë botën që nga fillimi i pandemisë dhe ka pasur prova në rritje se njerëzit që i mbijetojnë përballen me rreziqe të shtuara të kushteve neurologjike dhe psikiatrike.

Studimet e mëparshme kanë zbuluar se njerëzit përballen me rreziqe më të larta të disa kushteve të shëndetit neurologjik dhe mendor në gjashtë muajt e parë pas infektimit.

Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur të dhëna në shkallë të gjerë që shqyrtojnë rreziqet për një periudhë më të gjatë kohore.

Kurse studimi i ri analizoi 1.28 milionë raste me COVID gjatë dy viteve.

“Gjetjet hedhin dritë të re mbi pasojat afatgjata të shëndetit mendor dhe trurit për njerëzit pas infektimit me COVID”, ka thënë Max Taquet, i cili ka drejtuar analizat.

“Rezultatet kanë implikime për pacientët dhe shërbimet shëndetësore dhe theksojnë nevojën për më shumë kërkime për të kuptuar pse ndodh kjo dhe çfarë mund të bëhet për të parandaluar shfaqjen e këtyre çrregullimeve, ose për t’i trajtuar ato kur ndodhin”, ka vijuar.

Studimi analizoi të dhënat për 14 diagnoza neurologjike dhe psikiatrike nga të dhënat elektronike të shëndetit, kryesisht nga SHBA-të.

Sakaq, u zbulua se te të rriturit rreziku i depresionit ose ankthit u rrit pas COVID-it, por u kthye në të njëjtin nivel si me infeksionet e tjera të frymëmarrjes brenda dy muajsh.

Megjithatë, rreziku i disa kushteve të tjera të shëndetit neurologjik dhe mendor mbeti më i lartë pas COVID-it se sa për infeksionet e tjera të frymëmarrjes në fund të ndjekjes dyvjeçare.

Të rriturit e moshës 64 vjeç e poshtë kishin një rrezik më të lartë të mjegullës së trurit krahasuar me ata që kishin infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Tek ata të moshës 65 vjeç e lart, kishte një dukuri më të lartë të demencës dhe çrregullimeve psikotike krahasuar me ata që më parë kishte një infeksion të ndryshëm respirator.

Ndërkaq, rezultatet te fëmijët treguan ngjashmëri dhe dallime me të rriturit.

Mundësia e shumicës së diagnozave pas COVID-it ishte më e ulët se te të rriturit dhe ata nuk ishin në rrezik më të madh të ankthit ose depresionit se sa fëmijët që kishin infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Megjithatë, ashtu si të rriturit, fëmijët që shëroheshin kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me disa kushte, duke përfshirë konvulsione dhe çrregullime psikotike.

Më shumë çrregullime neurologjike dhe psikiatrike u panë gjatë valës së variantit Delta. Edhe vala Omicron ishte e lidhur me rreziqe të ngjashme neurologjike dhe psikiatrike si Delta.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore