Bota

COVID 19: Varianti në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar mutacion tjetër


Varianti Kent i koronavirusit që është përhapur në Mbretërinë e Bashkuar duket se po pëson disa ndryshime të reja ‘shqetësuese’ të reja, thonë shkencëtarët.

Testet në disa mostra tregojnë një mutacion të quajtur E484K që është parë tashmë në variantet e Afrikës së Jugut dhe Brazilit që janë shqetësuese.

Ndonëse ky ndryshim mund të zvogëlojë efektivitetin e vaksinës, vaksinat që janë duke u përdorur momentalisht duhet të funksionojnë, thonë ekspertët.

Britania e Madhe tashmë ka rritur masat për të kontrolluar përhapjen e varianteve të reja.

Testim urgjent për variantin e Afrikës së Jugut është duke filluar në pjesë të Anglisë, si dhe janë zbatuar kufizime të udhëtimit për të ndaluar më shumë raste që hyjnë nga jashtë.

Ekspertët që punojnë në shëndetin publik në Angli kanë gjetur vetëm një numër të rasteve të variantit të MB-së me mutacionin E484K – është parë në 11 nga 214,159 mostra që janë testuar.

“Është pritur që variante të shfaqen ose që të vazhdojnë të ndryshojnë – të gjitha viruset ndryshojnë mutacion përderisa krijojnë kopje të reja të tyre për t’u përhapur dhe harlisur”, ka thënë eksperti për viruse në Universitetin e Leicester, Dr Julian Tang, duke përshkruar gjetjen si “një zhvillim shqetësues, ndonëse jo plotësisht të papritur”.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që njerëzit t’i ndjekin masat kufizuese dhe të kontribuojnë në uljen e rasteve të koronavirusit në mënyrë që të parandalohen mundësitë që virusi të krijojë mutacione të tjera.

“Përndryshe, jo vetëm që virusi mund të vazhdojë të përhapet, por gjithashtu mund të evoluojë”.

Shkencëtarët tashmë kanë kontrolluar se çfarë mund të nënkuptojnë këto mutacione të reja për vaksinat ekzistuese të koronavirusit që ishin krijuar në bazë të versioneve të mëparshme të virusit.

Disa hulumtime tregojnë se E484K mund të ndihmojë virusin të shmangë pjesët e sistemit imunitar të quajtur antitrupa.

Por rezultatet e hershme nga Moderna sugjerojnë që vaksina e saj është akoma efektive kundër varianteve me këtë mutacion – edhe pse reagimi imun i trupit nuk mund të jetë aq i fortë apo i gjatë.

Dy vaksina të reja të koronavirusit që mund të aprovohen së shpejti – një nga Novavax dhe tjetra nga Janssen – gjithashtu duket se ofrojnë mbrojtje të mirë kundër varianteve, duke shmangur kështu sëmundjet serioze.

Në skenarin më të keq, vaksinat mund të ripërpunohen për të qenë më të përshtatshme në disa javë ose muaj, nëse është e nevojshme, thonë ekspertët.

Një aspekt pozitiv mund të jetë që variantet po krijojnë mutacione në mënyrë të ngjashme në vend se të ndryshojnë tërësisht nga njëri-tjetri.

Profesori Ravi Gupta nga Universiteti i Kembrixhit tha: “Kjo na jep një shenjë se virusi ka disa rrugë të preferuara – dhe ne mund të punojmë për t’i bllokuar ato me një vaksinë.”

Ish sekretari i shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Hunt, tha se qëllimi ishte vaksinimi i sa më shumë njerëzve sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të jemi një hap përpara virusit.

Masat e tilla si larja e duarve, mbajtja e distancës nga njerëzit e tjerë dhe mbajtja e maskës do të ndihmojnë ende në parandalimin e infeksioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore