Lajme

Covid-19/ Britania, jashtë “listës së bardhë” të BE-së për udhëtime të sigurta


Turistët britanikë përballen me kufizime të vazhdueshme për të udhëtuar në Bashkimin Evropian (BE) këtë verë.

Tetë shtete do t’i shtohen një “liste të bardhë”, tek e cila renditen vendet prej nga ku BE-ja thotë se udhëtimet janë të sigurta. Mirëpo, vihet re se nuk është përfshirë Mbretëria e Bashkuar.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Libani, SHBA-të, Tajvani, Macau dhe Hong Kong-u do t’i bashkohen Australisë, Izraelit, Japonisë, Zelandës së Re, Ruandës, Singaporit, Koresë së Jugut, Tajlandës dhe Kinës.

Burimet diplomatike thanë se, ndërsa niveli i rasteve të Mbretërisë së Bashkuar për 100 mijë persona kishte qenë brenda kritereve për përfshirje në listë, rritja eksponenciale e infeksionit nga varianti Delta ka qenë pengesë.

“Ka shqetësime serioze në lidhje me Delta-n dhe shtimin e numrave”, tha një diplomat i BE-së.

Për zgjerimin e listës u ra dakord gjatë një takimi të ambasadorëve të BE-së në Bruksel.

Debati, nëse do të rihapet vendimi i Boris Johnson-it për të vonuar fazën e katërt për normalitetin, ka zënë një pjesë të diskutimit të BE-së mbi turistët britanikë.

Fatalitetet janë relativisht të ulëta në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa për vaksinat anti-Covid është vërtetuar se funksionojnë më së miri në mbrojtjen e njerëzve.

Por, rastet pozitive të Covid-it janë rritur 38.8% nga java në javë dhe numri i të hospitalizuarve është rritur me 22.1%. Varianti Delta përbën më shumë se 90% të rasteve të reja.

Nga ana tjetër, në Belgjikë varianti Delta besohet të zërë vetëm 1.9% të rasteve të reja, ndërsa në Francë besohet se zë 2% deri 4%. Varianti Delta besohet të jetë rreth 60% më i transmetueshëm se varianti i identifikuar për herë të parë në Kent.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, po ashtu, ka refuzuar të vendosë ndonjë vend anëtar të BE-së në një listë të gjelbër të vendeve, ku lejohen udhëtimet pa pasur nevojë për karantinë.

“Lista e bardhë” e BE-së siguron vetëm udhëzime për vendet anëtare të BE-së dhe turistët plotësisht të vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga 1 korriku, një skemë pasaporte Covid do të hyjë në fuqi gjithashtu për të lejuar personat e BE-së dhe njerëzit nga disa vende jo-BE, të cilët janë plotësisht të vaksinuar, kanë bërë një test negativ ose mund të provojnë shërimin nga sëmundja të lëvizin lirshëm brenda unionit.

Pritjet në Bruksel janë që vendet anëtare të BE-së të heqin detyrimet e karantinës si pjesë e skemës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po udhëton në 27 vendet anëtare në javët e ardhshme, ndërsa nënshkruan planet për shpenzimet e rimëkëmbjes, tha se do të përdorte pasaportën Covid gjatë vizitave të saj.

Duke folur para se të udhëtonte në Spanjë dhe Portugali, ajo tha se “pasaporta Covid është e zbatueshme nga 1 korriku, por nëse doni, si një shtet anëtar, mund të regjistroheni vullnetarisht herët dhe kjo është ajo që bëri Belgjika”.

Belgjika lejon që nga sot të udhëtojnë me certifikatën dhe ata i lëshojnë këto certifikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore