Sport

Conference League zhvillon takimet e fundit çerekfinaliste


UEFA Europa Conference League do të zhvillojë këtë të enjte ndeshjet e kthimit të raundit çerekfinal. Për katër biletat gjysmëfinaliste janë në garë skuadra si Fiorentina, Viktoria Plzen, Lille, Aston Villa, Fenerbahce, Olympiacos, PAOK dhe Club Brugge.

Katër duelet e kësaj të enjteje në Confrence League do të zhvillohen në dy orare. Dy të parat do të fillojnë nga ora 18:45 dhe dy të tjerat nga ora 21:00.

Dy takimet e para janë Fiorentina – Plzen dhe Lille – Aston Villa.

Dueli i një jave më parë mes nënkampionëve të Conference League dhe asaj nga Plzeni përfundoi me rrjeta të paprekura. Ndaj, kualifikimi mbetet i hapur dhe vendoset sot në stadiumin “Artemio Franchi”.

Aston Villa triumfoi një javë më parë ndaj francezëve të Lille me rezultatin e ngushtë 2-1. Edhe në këtë duel kualifikimi mbetet i hapur duke qenë se ka vetëm një gol diferencë.

Dy duelet e orës 21:00 do të jenë Fenerbahce – Olympiacos dhe PAOK – Club Brugge.

Takimi i një javë më parë mes skuadrës greke dhe asaj tuke përfundoi me pesë gola dhe fitoren e këtyre të parëve me rezultatin 3-2. Një gol diferencë tregon se edhe në këtë duel kualifikimi mbetet ende i hapur.

PAOK do të kërkojë të përmbysë humbjen e një jave më parë, 1-0 ndaj Club Brugge kur të përballet me belgët mbrëmjen e kësaj të enjteje.

Shorti për gjysmëfinalet përcaktoi:

Aston Villa/Lille – Olympiacos/Fenerbahce;

Viktoria Plzen/Fiorentina – Club Brugge/PAOK.

Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen më 2 maj, ndërsa ato të kthimit më 9 maj.

Finalja e Conference League 2023-24 do të zhvillohet në “AEK Arena”, Athinë, Greqi, më 29 maj 2024.

Europa League: Luhet për katër biletat gjysmëfinaliste

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore