Sport

Europa League: Luhet për katër biletat gjysmëfinaliste


Tetë skuadra do të përballen mbrëmjen e kësaj të enjteje (ora 21:00) në çerekfinalet e UEFA Europa League për të siguruar katër biletat për raundin gjysmëfinal. Në lojë janë Atalanta, Liverpool, Marseille, Benfica, Roma, Milan, West Ham dhe Bayer Leverkusen.

“Gewiss Stadium” i Bergamos do të presë përballjen mes Atalanta-s vendase dhe Liverpool-it. Italianët befasuan jo pak në takimin e parë duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 në “Anfield”.

Megjithatë, Liverpool mund të ketë ende për të dhënë, pasi brenda një jave duket se “doli” nga gara për Europa League dhe Premier League.

Në kryeqytetin e Italisë, Romë, stadiumi mitik “Olimpico” do të presë përballjen mes Roma-s së Daniele de Rossi-t dhe Milan-it të Stefano Pioli-t.

Roma fitoi minimalisht 1-0 në takimin e parë ndaj kuqezinjëve në “San Siro” dhe gjithçka mbetet e hapur përsa i përketë kualifikimit.

Stadiumi i “Londrës” do të presë duelin mes West Ham-it dhe Leverkusen-it, me miqtë që fituan 2-0 në takimin e parë në “BayArena”.

Leverkusen-i do të vijë në këtë takim si kampioni më i ri në Bundesliga-n gjermane. “Aspirinat” pak ditë më parë ngriten titullin kampion në Gjermani, duke fituar trofeun e parë në historinë e klubit dhe duke thyer dominimin 11-vjeçar radhazi të Bayern Munich-ut.

Në Francë, në një prej stadiumeve më të njohura të Evropës “Velodrome” do të zhvillohet ndeshja e kthimit mes vendasve të Marseille-s dhe miqëve të Benfica-s.

Në ndeshjen e një javë më parë të zhvilluar në Portugali, Benfica triumfoi me rezultatin e ngushtë 2-1 dhe ndeshja është e hapur përsa i përketë kualifikimit.

Shorti për gjysmëfinalet:

Benfica/Marseille – Liverpool/Atalanta;

Milan/Roma – Leverkusen/ West Ham.

Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen më 2 maj, ndërsa ato të kthimit më 9 maj.

Finalja e Europa League 2023-24 do të zhvillohet në “Dublin Arena” më 22 maj 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore