Kosova

Çka thoshte Plani i Zbatimit për marrëveshjen e arritur në vitin 2013


“Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit”, thuhet në një nga pikat e aneksit për zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, të negociuar të shtunën në Ohër, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjet e Albanian Post, se kush do të jetë pjesë e këtij Komiteti të Përbashkët të Monitorimit, nga pala kosovare.

Por, ish këshilltari dhe anëtarë i delegacionit te Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi në vitin 2011/2017, në mandatin e Edita Tahirit, si ish kryenegociatorë, beson se ky komitet do të drejtohet nga Miroslav Lajçak, me Besnik Bislimin përfaqësues i Kosovës dhe Petar Petkoviç, përfaqësues i palës serbe në dialog.

“Dhe pastaj aty në komiteti marrin pjesë njerëz nga institucionet varësisht nga temat që diskutohen”, ka thënë Raci për Albanian Post.

“Ndërsa sipas pikës 2 të planit për implementimin e marrëveshjes së vitit 2013 (marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën) do të themelohet grupi menaxhues për themelimin e Asociacionit”.

“Kështu pak a shumë do të shkoj përsëri, sepse zotimet janë sipas atyre paraprake dhe tashme është një tradite e ndërtuar”, ka thënë Gazmir Raci.

Por çka thoshte Plani i Zbatimit për marrëveshjen e arritur në vitin 2013?

Në dokumentin e Planit të Zbatimit, të cilin e ka siguruar Albanian Post, të protokoluar më 23 maj të vitit 2013, në fillim tregohet se ky Plan, në pikat e tij të mëposhtëm, ka parimet e arritura nga të dy palët të cilat “janë pajtuar për organizimin e punës së Komitetit të Zbatimit”.

Plani, thuhet në dokument, do të përbëhet nga gjashtë elemente kryesore.

-Rregulli i kornizave ligjore,

-Asociacioni/Bashkësia,

-Policia,

-Drejtësia

-Zgjedhjet Lokale

-Dispozita të përgjithshme

Në fund të muajit maj të vitit 2013, ishte paraparë “përshtatja e kornizave ligjore”, ku të dyja palët ishin dakorduar që t’i paraqesin Komitetit të Zbatimit, planin e detajuar, brenda afatit kohor, për ndryshimet ligjore për zbatimin e “Marrëveshjes së Parë”.

Ndërsa deri në mes të muajit qershor, të dy palët do të duhej t’i kishin të miratuara të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore që kërkoheshin për zbatimin e “Marrëveshjes së Parë”.

Me ndërmjetësimin e BE-së, të dy palët ishin pajtuar që deri në fund të muajit maj (një muaj pas arritjes së Marrëveshjes së Parë), që të krijonin grupet menaxhuese për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë. Ky grup do të kishte për detyrë të merrej me të gjitha çështjet relevante për themelimin e Asociacionit. Grupi do të përbëhej nga përfaqësues të katër komunave veriore të Kosovës.

Në fund të muajit tetor të vitit 2013, ishte paraparë që menjëherë pas zgjedhjeve lokale dhe pas konfirmimit të rezultateve të zgjedhjeve, Ekipi përgatitor do të shpërbëhej. Asociacioni do të themelohej në përputhje me nenin 1 të “Marrëveshjes së Parë” dhe do të miratohej statusi i saj “në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjet e Kosovës”.

Në fund të muajit maj, grupet punuese do të duhej të kishte të përfunduara planet e detajuara dhe afatet kohore për integrimin e personelit të sigurisë Serbe në strukturat e Kosovës dhe themelimin e çfarëdo strukture të re, me ndihmën e Eulexit.

Deri në mes të muajit qershor, Serbia kishte kohë që të fillonte mbylljen e strukturave të saj të sigurisë në Kosovë.

Serbia do të ofronte të dhëna të detajuara rreth numrit dhe rangut të punonjësve të qeverisë Serbe në sektorin e sigurisë të punësuar në Kosovë, të cilët kishin shprehur interesim për t’u bashkuar në strukturat e Kosovës.

Ndërsa Kosova do të ofronte vende në Policinë e Kosovës dhe struktura të tjera ekuivalente të Kosovës.

Serbia gjithashtu do të ndërpriste dhënien e pagesave të personelit të përfshirë në strukturat ekuivalente të Kosovës dhe ta paraqiste këtë tek grupi punues.

Ndërsa deri në fund të atij viti, ishte afati kur anëtarët e strukturave Serbe të sigurisë në Kosovë do të integroheshin plotësisht në strukturat ekuivalente të Kosovës me rroga të paguara ekskluzivisht nga buxheti i Kosovës.

Në sektorin e Drejtësisë, të dy palët do të formonin gupet punuese të cilat do të bënin integrimin e organeve të gjyqësore të Serbisë në struktura të Kosovës. Proces ky i cili nuk duhej të kalonte më gjatë se fundi i muajit maj.

Serbia do të njoftonte për personelin që do të donte të bashkohej, Kosova do të vinte në dispozicion vendet e lira për ta, proces ky i cili duhej të përfundonte në fund të vitit 2013, me integrim të plotë të autoriteteve gjyqësore.

Për çështjen e zgjedhjeve lokale, OSBE-ja ishte bërë pjesë e diskutimeve duke i udhëhequr të gjitha grupet punuese dhe në fund të muajit tetor zgjedhjet lokale duhej të mbaheshin.

Deri në fund të muajit maj të vitit 2013, Serbia kishte kohë për të ofruar një pasqyrë të detajuar të financimeve të institucioneve në Kosovë përmes Komitetit të Zbatimit.

Dhe pika e fundit e këtij plani të zbatimit për “Marrëveshjen e Parë”, ishte “zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në proces të Dialogut”. E që bëhej fjalë për kadastrin, regjistrat civilë, vulave doganore, diplomave Universitare, lirinë e lëvizjes, përfaqësimin rajonal, IBM-në, aranzhimet ndërlidhëse, Njësia Speciale e Policisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe pagesat doganore / Fondi i Zhvillimit për veriun e Kosovës.

Duke mos harruar të ceket se “të dyja palët vazhdojnë dialogun e tyre politik”.

Plani_i_Zbatimit_te_Marreveshjes_se_Pare_per_Normalizimin_e_Marredhenieve (2)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore