Sport

Cilët janë kundërshtarët e ekipeve shqiptare në Conference League


UEFA Europa Conference League përfundoi të enjten ndeshjet e turit të dyte kualifikues. Nga shtatë skuadra shqiptare që ishin në garë për të arritur në turin e tretë vetëm tre e siguruan kualifikimin, Partizani, Ballkani dhe Struga.

Në turin e dytë u eliminuan Tirana, Drita, Dukagjini dhe Shkupi. Ndërsa, më herët, në turin e parë, ishin eliminuar Vllaznia, Egnatia dhe Shkëndija.

Tashmë, Partizani, Ballkani dhe Struga do të luajnë në turin e tretë me shpresën se do të arrijnë fazën e play-off përpara se të jenë pjesë e fazës së grupeve të Conference League.

Partizani

Në raundin e tretë, Partizani do të ketë përballë skuadrën letoneze të Valmiera-s. Takimi i parë do të luhet më 10 gusht. Dhe, ndeshja e kthimit do të luhet më 17 gusht.

Valmiera ka një skuadër me moshë mesatare 21.7 vjeç dhe vlera e saj në Transfermarkt shkon në 5.74 milionë euro. Te Partizani, mosha mesatare është 23.4 vjeç, teksa i gjithë ekipi kushon 5.95 milionë euro.

Aktualisht, Valmiera renditet në vendin e tretë në kampionatin vendas, duke qenë 27 pikë pas Riga-s së vendit të parë.

Letonezët mbërritën në këtë raund, pasi më herët eliminuan skuadrën e Tre Penne-s me rezultatin e përgjithshëm 10-0. Partizani eliminoi AC Escldes të Andorrës me rezultatin e përgjithshëm 5-1.

Kujtojmë që Partizani u eliminua nga kualifikueset e Champions League nga Bate Borisov (1-1, 2-0). Edhe, Valmiera gjithashtu ishte pjesë e kualifikueseve të Champions, por u eliminua nga Olimpija Ljubljana (2-1, 2-1).

Ballkani

Ballkani do të ketë një ndeshje të lehtë në letër. Përballë skuadrës së Ilir Dajës do të jetë Lincoln Red nga Gjibraltari. Takimi i parë do të zhvillohet në Prishtinë, më 10 gusht. Një javë më pas do të luhet në transfertë.

Lincoln Red është skuadra kampione rekord e ligës së Gjibraltarit. Ata numërojnë 27 trofe të ligës, 18 Kupa dhe 12 Superkupa.

Vlera e përgjithshme e skuadrës është 2.28 milionë euro dhe kanë një mesatare moshe prej 28.6 vjeç. Në krahun tjetër, Ballkani ka një ekip me moshë mesatare 25.3 vjeç, i cili kushton 5.33 milionë euro.

Në këtë raund, Lincoln mbërriti pasi u eliminua nga kualifikueset e Champions League nga Qarabag me rezultatin e përgjithshëm 6-1. Dy prej golave të skuadrës azere i realizoi ish-sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha.

Ballkani mbërriti në këtë raund pasi eleminoi Larne-n me rezultatin e përgjithshëm 7-1. Më herët, ata u eliminuan nga kualifikueset e Champions League nga Ludogorets (2-0, 0-4).

Struga

Struga e Shpëtim Duros do të përballet në raundin e tretë të Conference League me skuadrën e Hesperange nga Luksemburgu. Takimi i parë zhvillohet më 10 gusht dhe ai i kthimit më 17 gusht.

Hesperange ka një skuadër me moshë mesatare 27.5 vjec dhe kushton 4.27 milionë euro. Në krahun tjetër, Strgua e ka moshën mesatare 27.1 vjeç dhe kushton 3.62 milionë euro.

Skuadra nga Luksemburgu mbërriti në këtë raund pasi eliminoi TNS (3-2, 1-1). Struga eliminoi Buducnost-in (1-0, 4-3).

Të dyja skuadrat e nisën aventurën e tyre nga kualifikueset e Champions League, por u eliminuan direkt nga turi i parë. Hesperange u mund Slovan Bratislava (1-1, 2-0). Ndërsa, Struga u mposht nga Zalgiris (0-0, 2-1).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore