Shqipëria

Cilët janë dy shqiptarët, pjesë e ekipit të IAEA-së në Zhaporizhzhia?


Florian Hasi dhe Florin Abazi, janë emrat e dy shqiptarëve, të cilët ndodhen në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, si pjesë e ekipit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Dyshja së bashku me 12 specialistë të tjerë do të inspektojnë nga afër situatën në central. Kjo pas sulmeve ushtarake të regjistruara pranë tij, ku palët kanë akuzuar njëra – tjetrën.

Hasi – i cili ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në Institutin për Fizikën e Materialeve në Universitetin e Vjenës – ka marrë një trajnim të avancuar në Fizikën Bërthamore dhe Inxhinieri Bërthamore.

Ai, aktualisht njihet si inspektor Ndërkombëtar i Masave Mbrojtëse.

Florian Hasi, specialisti i IAEA-së

Detyra e tij është përgatitja dhe raportimi për masat mbrojtëse në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Hasi ka marrë pjesë gjerësisht në inspektimet mbrojtëse të IAEA-s në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë, Indonezi, Australi, Afrikën e Jugut, Ukrainë, Bjellorusi, Kazakistan, Armeni dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Abazi nga ana tjetër, është një nga Inspektorët më të lartë të mbrojtjes bërthamore të IAEA-së me seli në Austri.

Ai mban gradën e doktorit të Shkencave Teknike.

Abazi ka shërbyer si Koordinator i Programit MOSAIC në rolin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Departamentin e Mbrojtjes të IAEA-s.

Të shumta janë studimet shkencore të kryera nga dy inspektorët shqiptarë.

Misioni drejtohet nga shefi i IAEA-s Rafael Grossi dhe vjen pas negociatave të gjera.

Ekipi prej 14 anëtarësh përfshin zyrtarë të nivelit të lartë të IAEA si dhe ekspertë nga vende të ndryshme.

“Jacek Bylica, shef i kabinetit të IAEA-së, Lydie Evrard, zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e IAEA-s dhe Shefe e Departamentit të Sigurisë Bërthamore, Florin Abazi, Inspektor i Lartë i IAEA-së dhe Fredrik Dahl, zëdhënës i IAEA,-së në Zyrën e Informacionit dhe Komunikimit Publik” janë disa nga emrat e shkruan në njoftimin publik.

Ekipi përfshin përfaqësues të Lituanisë, Polonisë, Serbisë, Francës, Italisë, Kinës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Jordanisë dhe Meksikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore