Shqipëria

Cilat janë ndryshimet rrugore që hynë në fuqi më 26 prill


Të mërkurën e 26 prillit në Kodin Rrugor kanë hyrë në fuqi disa ndryshime të aprovuara më parë, të cilat synojnë lehtësimin e drejtuesve të mjeteve.

Fillimisht, kodi i ri parashikon heqjen e postblloqeve në rrugët interurbane.

Në të gjitha rrugët ndërqytetëse nuk do të ketë, të paktën sipas ligjit, postblloqe që stacionohen herë pas here.

Megjithatë do të ketë disa postblloqe për ndalimin e mjeteve, që ligji pretendon se do të jenë në pika kontrolli me kushte të larta sigurie.

Limiti i shpejtësisë do të rritet deri në 130 km në orë. Aktualisht vetëm autostrada që lidh Fierin me Vlorën e ka 120 km në orë.

Ajo që lidh Elbasanin me Tiranën e ka 110 km në orë dhe superstrada që lidh Tiranën me Durrësin e ka deri në 90 km në orë.

Ligji i ri detyron bashkitë të sigurojnë pa pagesë 50 për qind të parkingjeve.

Ndryshim ka edhe në lidhje me gjobat: Nëse pagesa bëhet brenda 15 ditëve, do të paguhet 50 për qind e vlerës.

Pra, nëse gjobiteni me 3 mijë lekë do të paguani 1 mijë e 500 lekë nëse e shlyen deri më 15 ditë nga prerja e gjobës.

Një tjetër ndryshim do të prekë edhe shoferët e rinj që pajisen me patentat bazike, të kategorisë B.

Në dy vitet e para shoferët e rinj nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 kw/ton. Gjithashtu për ta shpejtësia është e limituar në 80 km në orë.

Një nga ndryshimet në Kodin Rrugor është rritja e afatit të rinovimit të patentës, i cili do bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me deri në 10 vjet që është aktualisht.

Për patentat deri në B, rinovimi do të bëhet çdo 15 vjet për moshat nga 18 deri në 70 vjeç.

Fillimisht, këto ndryshime u miratuan në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja, ishte ai i cili prezantoi risitë për rinovimin e lejeve të drejtimit.

Rinovimi i patentës për disa kategori do të bëhet çdo 15 vjet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore