Shqipëria

Rinovimi i patentës për disa kategori do të bëhet çdo 15 vjet


Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në Kodin Rrugor, të cilat synojnë lehtësimin e drejtuesve të mjeteve.

Sipas këtyre ndryshimeve të miratuara, rinovimi i lejeve drejtimit të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE do të bëhet çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç.

Nëse një qytetar fiton për herë të parë leje drejtimi të këtyre kategorive kur është 18 vjeç, rinovon lejen e drejtimit kur mbush moshën 33 vjeç, 48 vjeç, 63 vjeç e në rinovimin e moshës 78 vjeç nisin afatet e shkurtuara.

Zgjatje në 70 vjeç, nga deri 65 që është, e të drejtës për leje drejtimi profesionale me kufizim: lejet e drejtimit të kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, janë të vlefshme për 5 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç; për personat mbi 65 vjeç: leje drejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 tonë; leje drejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1.

Gjithashtu, zgjatet e drejta për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është aktualisht.

Qytetarëve që u është anuluar leje drejtimi shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin lejen e drejtimit shqiptare pa testim, menjëherë edhe nëse leje drejtimi e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.

Në ndryshimet e miratuara mbrëmjen e djeshme, drejtuesve të mjeteve të drejtimit të kategorisë B, pra të makinave, nuk do u lejohet në dy vitet e para të lëshimit të patentës të drejtojnë mjete me fuqi më të madhe se 55 kw/ton, ndërkohë për makinat hibride elektrike ose Plug-in, kufiri i lejuar i fuqisë, për këta drejtues, do të jetë 65kw/ton duke përfshirë këtu edhe peshën e baterisë.

Fillimisht, këto ndryshime u miratuan në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja, ishte ai i cili prezantoi risitë për rinovimin e lejeve të drejtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore