Sport

Cikalleshi rinovon kontratën me Konyaspor-in


Futbollisti kuqezi, Sokol Cikalleshi, ka zgjatur kontratën me klubin e Konyaspor-it deri në verën e vitit 2024.

Për vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve, u shpreh i lumtur Cikalleshi, i cili premtoi se do të luftojë për të arritur suksese së bashku me klubin.

“Jam i lumtur që jam pjesë e një familjeje të madhe si Konyaspor. Dua të falënderoj presidentin, drejtuesit dhe trajnerin tonë që kontribuuan në realizimin e këtij rinovimi”, theksoi sulmuesi shqiptar.

“Premtoj se do të luftojë shumë deri sa të jem pjesë e kësaj skuadre. Kemi arritur mjaft suksese me shumë punë. Ne kemi punuar shumë dhe do të vazhdojmë të punojmë. Jam i sigurt se do ta përfundojmë sezonin në një vend shumë të mirë”, shtoi Cikalleshi.

Skuadra e Konyaspor po kalon nëpër një formë shumë të mirë në futbollin turk, të cilët pozicionohen në vendin e dytë në tabelë.

Aktualisht ata kanë grumbulluar 45 pikë, nëntë prapa liderit Trabzonspor dhe shtatë më shumë se vendi i tretë, Alanyaspor (Konyaspor ka një lojë më pak të zhvilluar).

Pra, të lësh mbrapa në klasifikim gjigandët si Fenerbahce, Galatasaray e Besiktas, do të thotë një arritje e madhe për skuadrën e Cikalleshit.

Sa i përket Cikalleshit, ai është pjesë e Konyaspor-it që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga Akhisarspor si një transferim i lirë.

Deri më tani, sulmuesi 31 vjeçar ka zhvilluar 56 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Konyaspor-it, prej të cilave ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar pesë asistime.

Ndërsa, përveç Cikalleshit, pjesë e sukseseve të Konyaspor-it këtë sezon janë edhe futbollisti tjetër i Shqipërisë Endri Çekiçi dhe ai i Kosovës, Zymer Bytyqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore