Sport

Cikalleshi: Jemi me fat që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit


Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, së bashku me Nedim Bajramin ishin të pranishëm në konferencën për media e cila u mbajt gjatë ditës së hënë.

Rusia e cila ishte së bashku në grup me Shqipërinë, ishte diskualifikuar nga UEFA për shkak të luftës në Ukrainë.

Sokol Cikalleshi tha se mungesa e Rusisë në këtë garë, do të jetë një fat për kuqezinjtë, derisa ai shtoi se do të mundohen ta bëjnë më të mirën në ndeshjen e parë ndaj Islandës.

“Kemi fat që Rusia nuk do jetë pjesë e grupit. Duhet të përqendrohemi te ndeshja e parë, pasi fillimi i mbarë është gjysma e punës”, tha Cikalleshi.

“Islanda është një ekip shumë i fortë fizikisht, por besoj se mund t’ia dalim. Duke korrigjuar gabimet besoj se do kemi mundësinë t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë”, shtoi sulmuesi shqiptar.

Cikalleshi shtoi më tutje se grumbullimi me kombëtare është duke shkuar mirë, i cili tha se shpreson se nuk do të ketë asnjë dëmtim te futbollistët.

“Jemi në fund kampionati, por këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar në stërvitje”, tha 31 vjeçari.

“Gjithçka po shkon shumë mirë, sipas planit, edhe pse na ndajnë edhe shumë ditë nga ndeshja e parë, shpresoj të mos kemi dëmtime”, shtoi ai.

Tutje, sulmuesi i Konyaspor-it u ndal duke folur edhe për kundërshtarët, Islandën dhe Izraelin, i cili tha se nëse fitohet ndeshja e parë, atëherë Shqipëria do të tentojë vendin e parë.

“Janë dy kundërshtarë të ndryshëm. Islanda është më shumë fizike, kemi pasur dy ndeshje vitet e fundit me të, humbëm një në Islandë dhe fituam një brenda, atje do jetë një përballje fizike”.

“Ndërsa Izraeli është ekip më shumë teknik. Kam luajtur me Izraelin, nuk bënin diferencë të madhe edhe pse atë kohë ishin më mirë seç janë sot, por nuk duhet t’i nënvlerësojmë”.

“Megjithatë ndeshja e parë është më e rëndësishmja dhe nëse marrim rezultat pozitiv mund të tentojmë vendin e parë”, theksoi Cikalleshi.

Në fund, Cikalleshi u pyet edhe për të ardhmen në klubin e tij turk, i cili tha se ndihet i lumtur atje.

“Unë firmosa kontratën e re me Konyasporin, pata një vlerësim nga klubi dhe i falënderoj. Jam i kënaqur me karrierën time, kam pasur një rritje dy vitet e fundit”.

“Jam shumë mirë atje, kemi bërë punë të mirë u renditëm në vend të tretë dhe jemi në Conference League. Klubi ka plan për të vazhduar rritjen, besoj se do jem pjesë e Konyaspor edhe për disa kohë dhe jam i lumtur”, tha mes tjerash Sokol Cikalleshi.

Kujtojmë që Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë në udhëtim te Islanda më 6 qershor, ndërsa katër ditë më vonë do të përballet me Izraelin në “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore